
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se ka “raporte të besueshme” që tregojnë se Hamas po përgatit një sulm “të menjëhershëm” ndaj civilëve palestinezë në Gaza, një akt që, sipas Uashingtonit, do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së armëpushimit.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën, Departamenti i Shtetit theksoi se çdo sulm ndaj palestinezëve do të ishte “shkelje e rëndë e armëpushimit” dhe do të “minonte përparimin e arritur përmes përpjekjeve ndërmjetësuese.”
SHBA nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e raportimeve apo burimet e informacionit, ndërsa nuk dihet se cilat objektiva mund të jenë në shënjestër, përcjell BBC.
Aktualisht është në zbatim faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit mes Hamasit dhe Izraelit, ku të gjithë pengjet e mbijetuara janë liruar dhe trupat e viktimave po vazhdojnë t’u dorëzohen autoriteteve izraelite.
Në kuadër të marrëveshjes, Izraeli ka liruar 250 të burgosur palestinezë dhe 1,718 të ndaluar nga Gaza.
Uashingtoni njoftoi se ka informuar garantuesit e marrëveshjes së paqes në Gaza — Egjiptin, Katarin dhe Turqinë — duke kërkuar nga Hamas që të respektojë plotësisht detyrimet e armëpushimit.
“Nëse Hamas ndërmerr këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit,” thuhet në deklaratë.
Hamas ende nuk ka reaguar ndaj njoftimit amerikan.
Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar më herët Hamas kundër çdo sulmi ndaj civilëve, duke shkruar në platformën e tij Truth Social:
“Nëse Hamas vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që nuk ishte pjesë e marrëveshjes, nuk do të na mbetet tjetër veçse të veprojmë kundër tyre.”
Më vonë ai sqaroi se nuk kishte në plan të dërgonte trupa amerikane në Gaza.
Ndërkohë, javën e kaluar, BBC Verify autentikoi video të rënda që tregonin një ekzekutim publik të kryer nga persona të armatosur të Hamasit në Gaza.
Pamjet shfaqnin tetë persona me duar të lidhura pas shpine, të vrarë në një shesh të mbushur me njerëz. Identiteti i autorëve nuk është konfirmuar, por disa prej tyre mbanin shiritat e gjelbër të Hamasit.
Të shtunën, Izraeli njoftoi se kishte marrë dy trupa të tjerë nga Gaza, që sipas Hamasit i përkisnin pengjeve izraelite, por identiteti i tyre ende nuk është verifikuar zyrtarisht. Deri tani janë kthyer trupat e 10 nga 28 pengje të vrarë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se kufiri i Rafahut mes Gazës dhe Egjiptit do të mbetet i mbyllur derisa Hamas të dorëzojë të gjitha trupat e pengjeve. Ky kufi është një korridor jetik për palestinezët që kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë Gazës ose që duan të rikthehen në shtëpi.
Në një incident të veçuar të shtunën, 11 anëtarë të një familjeje palestineze u vranë nga një predhë tanku izraelit, në atë që autoritetet e kontrolluara nga Hamas e përshkruan si incidentin më vdekjeprurës në Gaza që nga nisja e armëpushimit.
Ushtria izraelite tha se kishte qëlluar mbi një “automjet të dyshimtë” që kishte kaluar vijën e verdhë ndarëse të zonës së kontrolluar nga Izraeli, megjithëse nuk ka prova të qarta që mjeti ta ketë kaluar këtë vijë.
Sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamas, rreth 68,000 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite që nga 7 tetori 2023, shifër që OKB e konsideron të besueshme.
Në shtator, një komision hetimor i OKB-së akuzoi Izraelin për gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza — akuzë që Izraeli e ka cilësuar si “të shtrembëruar dhe të rreme.”