Vendosni fjalën kyçe....

Ka nisur numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës



Numërimi i votave me postë nga jashtë Kosovës ka filluar pasditen e së premtes në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi për REL.

Sipas tij, komisioni ka aprovuar rreth 30 mijë pako me fletëvotime, ndërsa rreth 4 mijë të tjera janë hedhur poshtë. Në total, mbi 44 mijë votues kishin të drejtë të votonin me postë nga jashtë vendit, gjatë periudhës nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

“Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë aprovuar është 29,636, ndërkaq janë refuzuar 3,977. Arsyeja më e shpeshtë e refuzimit lidhet me mungesën e dëftesës së regjistrimit, dokumenti unik që çdo votues i regjistruar e pranon nga KQZ-ja,” — tha Elezi.

Ai shtoi se procesi i numërimit dhe verifikimit të votave brenda vendit ka përfunduar për 30 nga 38 komunat e Kosovës.

Zgjedhjet lokale u mbajtën më 12 tetor, por në shumicën e komunave do të ketë rund të dytë muajin e ardhshëm, pasi kandidatët nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme në raundin e parë.

Në ditën e zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte 39.58% e më shumë se dy milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në 21 komuna është zgjedhur kryetari që në raundin e parë, ndërsa në 17 të tjera, përfshirë Prishtinën, do të zhvillohet balotazhi.

Në komunat me shumicë serbe, vetëm në Kllokot do të ketë rund të dytë, ndërsa në nëntë të tjera ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi.