
Forcat izraelite po përgatiten për të marrë trupat e pengjeve të vrarë në Gaza, ndërsa grupi Hamas po vonon procesin e dorëzimit, pavarësisht marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe presidentit Donald Trump.
Të premten mbrëma, Hamas njoftoi se kishte gjetur trupin e një pengu në Rripin e Gazës dhe e dorëzoi atë përmes Kryqit të Kuq, i cili e mori në dorëzim rreth mesnatës. Trupi pritet të mbërrijë në territorin izraelit në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Pas mbërritjes, do të zhvillohet një ceremoni ushtarake me nderime, përpara se të bëhet identifikimi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Koordinatori izraelit për pengjet, Gal Hirsch, ka konfirmuar se Izraeli është në pritje të marrjes së të gjitha mbetjeve të pengjeve të vrarë, duke theksuar se procesi po monitorohet nga afër dhe se çdo peng do të kthehet “me nderimin dhe respektin maksimal”.
Megjithatë, Tel Avivi akuzon Hamasin për vonesa të qëllimshme. Grupi terrorist ka deklaruar se rikthimi i trupave mund të zgjasë, pasi disa mbetje ndodhen nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara nga Izraeli ose në tunele të shembura. Hamas pretendon gjithashtu se nuk ka pajisje për pastrimin e rrënojave, për shkak të ndalimit izraelit për hyrjen e mjeteve të rënda në Gaza.
Një zyrtar izraelit tha për The Jerusalem Post se Izraeli nuk do të lejojë hyrjen e një delegacioni turk me pajisje shpëtimi deri në momentin që Hamas të kthejë të gjitha trupat e pengjeve që ka në kontroll.
Dorëzimi i parë i mbetjeve përmes Kryqit të Kuq konsiderohet si hap simbolik, por Izraeli e ka bërë të qartë se pret zbatimin e plotë të marrëveshjes — duke kërkuar kthimin e çdo pengu, të gjallë apo të vdekur.