Nga “përplasja” me Gjykatën Kushtetuese pasi kjo e fundit i anuloi dekretin për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, presidenti Begaj shkoi në Durrës në mbylljen e Kampionatit Botëror për të Rinj.
Kreu i shtetit lavdëroi pjesëmarrësit teksa u tha se janë brezi që do ndërtojë të ardhmen.
“Ju, të dashur të rinj e të reja, keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen, një brezi që di të mendojë, të analizojë, të bashkëpunojë dhe të respektojë rregullat e lojës së ndershme”, tha Begaj nga Durrësi.
Presidenti u tha të rinjve pjesëmarrës se shahu nuk është vetëm lojë por gjimnastikë e mendjes dhe ushtrim i karakterit.
“Shahu nuk është vetëm një lojë. Ai është gjimnastikë e mendjes, ushtrim i karakterit dhe një mënyrë për të ndërtuar strategjinë e mendimit, durimin dhe përqendrimin. Në çdo lëvizje të figurave, në çdo hap të menduar me kujdes, qëndron një mësim për jetën: si të shohësh përtej momentit, të mendosh me maturi, të kuptosh se çdo vendim ka pasojën e vet, ashtu si në jetë, ku çdo zgjedhje kërkon përgjegjësi, reflektim dhe guxim. Në këtë kuptim, shahu është shkollë, shkolla e qetësisë, logjikës dhe respektit për kundërshtarin”, deklaroi ai.
Në fund Begaj tha se shahistët e rinj janë shembulli më i mirë se si sporti dhe arsimi, mendja dhe karakteri, mund të ecin krah për krah.
“Mbajeni të gjallë këtë frymë përtej këtij kampionati: në shkolla, në komunitete, në jetën e përditshme! Një shoqëri që investon në mendje të qeta dhe në zemra të pastra, është një shoqëri që ecën me siguri drejt së ardhmes”, deklaroi Begaj.
