Partitë kryesore politike të Evropës kanë rënë dakord të zbusin rregullat mjedisore për bizneset, pas një dite të stuhishme negociatash që gati sa nuk shembi konsensusin qendror qeverisës.
Partia Popullore Evropiane (EPP) detyroi Socialistët dhe Demokratët (S&D) si dhe liberalët e grupit Renew të pranonin kushtet e saj, duke kërcënuar se do braktiste shumicën tradicionale qendrore dhe do bashkëpunonte me të djathtën, nëse kërkesat e saj nuk plotësoheshin.
Jörgen Warborn, negociatori kryesor i EPP-së për këtë çështje, tha për POLITICO:
“Është shumë e qartë për të gjitha grupet politike se shumicat në Parlament kanë ndryshuar, dhe të gjitha grupet duhet të përshtaten me realitetin e ri.”
Ai përsëriti se nëse socialistët dhe liberalët nuk bashkëpunojnë, “atëherë ekziston edhe një shumicë tjetër që mund të ndërtohet.”
Suksesi i EPP-së në zbutjen e rregullave mjedisore tregon fuqinë e saj për të ushtruar presion ndaj partnerëve dhe për të siguruar lëshime të mëdha duke vendosur tonin për negociatat e ardhshme mbi çështje të ndjeshme si rregullorja për dëbimet dhe objektivi për asnjanësinë klimatike deri në vitin 2040.
Zhvendosje drejt të djathtës
Marrëveshja hap rrugën që ligjvënësit të zbusin detyrimet për raportimin e qëndrueshmërisë dhe kontrollin e zinxhirit të furnizimit për bizneset, si pjesë e projektligjit të parë për thjeshtimin e legjislacionit (Omnibus).
Lëshimi nga ana e socialistëve të qendrës së majtë, të cilët më parë kishin kundërshtuar me këmbëngulje ndryshimet, ruan shumicën qendrore në Parlamentin Evropian, por nuk garanton se do ndalë çarjen e re politike që po e shtyn politikbërjen evropiane drejt të djathtës.
Vetëm disa orë para se socialistët të pranonin kompromisin, EPP kishte sinjalizuar se do vazhdonte me një version të mbështetur nga grupet e djathta: European Conservatives & Reformists (ECR), Patriots for Europe (PfE) dhe Europe of Sovereign Nations (ESN).
Komiteti përgjegjës për dosjen dërgoi një email të mërkurën në emër të negociatorit të EPP-së, Jörgen Ëarborn, ku si opsion i vetëm paraqitej versioni i mbështetur nga grupet e djathta.
Më vonë po atë ditë, kreu i grupit EPP Manfred Weber u takua me homologen e tij socialiste Iratxe García dhe kryetaren e Renew Valérie Hayer për të zgjidhur mosmarrëveshjen. Takimi përfundoi pa marrëveshje, sipas tre zyrtarëve të Parlamentit të cituar nga POLITICO.
Frika se do përjashtoheshin nga vendimmarrja për shkak të zhvendosjes drejt të djathtës, i detyroi socialistët të pranonin një pozicion alternativ për projektligjin, të cilin më parë e kishin hedhur poshtë.
