Në apartamentin e vogël në Daka të Syed Abdullah Muhammad Taher, fytyra e qeshur e Xi Jinping shkëlqen nga kopertina e një libri të vendosur mes Kuranëve në tavolinën e kreut mysliman.
Anëtari i lartë i partisë politike Jamaat-e-Islami të Bangladeshit dhe një pretendent i rëndësishëm në zgjedhjet e shkurtit, e mori kopjen e tij të librit “Qeverisja e Kinës” (The Governance of China) – koleksionin pesë-volumësh të fjalimeve dhe shkrimeve të presidentit kinez – gjatë një vizite në Pekin këtë vit për t’u takuar me udhëheqësit e Partisë Komuniste.
“Ishte një udhëtim i shkëlqyer, na trajtuan si me dinjitet. Kjo ishte hera e parë që Kina fton një drejtues të lartë nga Jamaat,” thotë ai.
Vizita e Taher në kryeqytetin kinez është pjesë e një fushate më të gjerë nga Pekini për të joshur jo vetëm klasat politike të Bangladeshit, por edhe udhëheqës nga vendet e tjera përreth Indisë, armiku rajonal kryesor i Kinës, në përpjekje për të anuar peshoren e pushtetit në Azinë Jugore në favor të saj.
Një kërkim i FT (Financial Times) tregon se zyrtarët kinezë kanë mbajtur të paktën shtatë takime të profilit të lartë me politikanët e Bangladeshit në 14 muajt që kur qeveria e përkohshme e Muhammad Yunus, një ish-sipërmarrës i financave sociale, mori detyrën. Kjo krahasohet me tetë takime gjatë mandatit të fundit pesëvjeçar të autokrates së vjetër të Bangladeshit, Sheikh Hasina.
Ndërkohë, zyrtarët e Pekinit kanë mbajtur 22 takime të profilit të lartë këtë vit me homologët nga Pakistani, duke qenë rrugën e duhur për të arritur shifrën e 30 takimeve të vitit të kaluar. Ndër vendet më të vogla përreth Indisë, Pekini ka zhvilluar të paktën gjashtë takime të profilit të lartë me zyrtarët e Nepalit këtë vit dhe të paktën pesë në Sri Lanka.
Prapa shtytjes diplomatike qëndron një garë më e thellë strategjike për ndikim. Si Kina, ashtu edhe India, kanë ambicie të jenë drejtues globalë, veçanërisht në botën në zhvillim. Manovrat gjeopolitike të Kinës e mbajnë Indinë të shqetësuar, ndërkohë që sigurojnë hyrjen kineze në Oqeanin Indian.
“Kina sheh atë që India e konsideron si lagjen e saj, si një terren loje krejtësisht të ndershëm për aktivitetet dhe ndikimin kinez,” thotë Daniel Markey, studiues i lartë në programet për Kinën dhe Azinë Jugore në Qendrën Stimson.
“Ajo është po aq oborri i Kinës sa edhe i Indisë.”
Për Nju Delhi-n, frika e vjetër e “rrethimit” nga Kina nuk është dukur kurrë më e mundur, thonë analistët. Politika e Indisë për t’u afruar me SHBA-në për të ekuilibruar fuqinë në rritje të Kinës ka qenë në pikëpyetje që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump mori detyrën dhe papritur vendosi një tarifë 50 për qind mbi importet nga India. Muajin e kaluar, Trump njoftoi një tarifë të re prej 100,000 dollarësh për vizat H-1B që përdoren gjerësisht nga punëtorët dhe kompanitë teknologjike indiane.
Pekini e di që India është e shpërqendruar, thotë Amit Ranjan, një studiues në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore të Universitetit Kombëtar të Singaporit.
“India nuk është në një pozicion të fortë aktualisht, kështu që kinezët mund të ndiejnë se është një kohë e mirë për ta shfrytëzuar këtë.”
Ranjan shton se nga vendet fqinje të Indisë, Nju Delhi ka marrëdhënie të mira vetëm me tre vende të vogla – Sri Lanka, Maldivet dhe Butanin. Por Kina ka një prani si në Sri Lanka ashtu edhe në Maldive dhe ka ndërhyrë në kufijtë e Butanit.
Rreziqet e aleancave rajonale në ndryshim u ndjenë në maj kur avionët, raketat dhe shkëmbimi i inteligjencës i furnizuar nga Kina ndihmuan armikun e Indisë, Pakistanin, të rrëzonte gjashtë avionë luftarakë indianë në një përplasje të shkurtër kufitare, sipas zyrtarëve në Islamabad.
Megjithëse Trump duket i painteresuar ose madje armiqësor ndaj Nju Delhi-t, për aleatët e SHBA-së në Azi, izolimi i Indisë vetëm sa do t’i hapë rrugën Kinës për të zgjeruar më tej ndikimin e saj në Oqeanin Indian, që është kanali për 80 për qind të dërgesave detare të naftës në botë.
“Këtu ka patjetër një frikë se ekziston një rreshtim i fuqive armiqësore rreth Indisë,” thotë Sushant Singh, profesor në studimet e Azisë Jugore në Universitetin Yale.
“Dhe India ka të drejtë të shqetësohet për këtë.”
Randhir Jaisëal, zëdhënës i Ministrisë së Jjashtme të Indisë, thotë se “pozicioni i Nju Delhi-t është të mbajë një vëzhgim të afërt” mbi zhvillimet e tilla dhe “të ndërmarrë veprime” nëse është e nevojshme.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës thotë se “vendet e Azisë Jugore janë fqinjë të ngushtë të Kinës” dhe qëllimi i Pekinit ishte ndërtimi i “një komuniteti me një të ardhme të përbashkët në rajon”, i ndërtuar mbi “gjithëpërfshirjen”, “sigurinë dhe prosperitetin”. Ajo thotë se zhvillimi i marrëdhënieve miqësore me çdo vend nuk “shënjestron ndonjë palë të tretë”.
Në Bangladesh, ofensiva joshëse e Pekinit ka marrë vrull që kur Hasina, një aleate e vendosur e Indisë, u rrëzua nga protestat studentore vitin e kaluar. Diplomatët kinezë kanë ndërtuar marrëdhënie të ngushta me Yunus, zëvendësuesin e saj, vizita e parë shtetërore e të cilit në ndonjë vend ishte takimi me Xi në Pekin në mars.
Në të kundërt, Yunus ende nuk ka zhvilluar bisedime të gjera me Narendra Modi, kryeministrin e Indisë, të cilin e takoi vetëm një herë shkurtimisht në kuadrin e një takimi rajonal në Bangkok në prill. Shafiqul Alam, sekretari i shtypit i Yunus, thotë se udhëheqësi i përkohshëm kërkon lidhje të mira me fqinjin e tij perëndimor dhe i kërkoi Nju Delhi-t një vizitë dypalëshe në dhjetor, javë para se të finalizohej vizita e tij në Kinë, por “fatkeqësisht, nuk morëm një përgjigje pozitive”.
Hapje të tjera diplomatike kineze në Bangladesh kanë përfshirë takime nga ish-kreu i departamentit ndërkombëtar të Partisë Komuniste, Liu Jianchao, me udhëheqësit e Partisë Nacionaliste të Bangladeshit, partia më e madhe politike e vendit.
Liu dhe Ministria e Jashtme e Kinës gjithashtu janë takuar rregullisht me këshilltarin e jashtëm të qeverisë Yunus, Touhid Hossain, ndërsa ministri i Tregtisë i Kinës gjithashtu vizitoi Daka-n në qershor me një delegacion biznesi prej 250 personash.
Por Kina po e hedh rrjetën e saj shumë më gjerë. Në qershor, alarmet u ngritën në Nju Delhi pasi Pekini priti një takim trepalësh “përurues” midis Bangladeshit, Kinës dhe Pakistanit në Kunming, Kinën jugperëndimore, në të cilin tre kombet ranë dakord të bashkëpunonin për gjithçka, nga investimet te infrastruktura, dhe të krijonin një grup pune të përbashkët. Ishaq Dar, ministri i Jashtëm i Pakistanit, u tha gazetarëve në gusht se edhe Sri Lanka mund t’i bashkohej kësaj marrëveshjeje.
“Në sfondin e ndryshimeve të gjera globale, rajonet e Azisë Jugore dhe Oqeanit Indian po i nënshtrohen një rirreshtimi strukturor,” shkroi studiuesi kinez Liu Zongyi në tabloidin Global Times të Partisë Komuniste Kineze në qershor rreth takimit trepalësh.
Rivaliteti i gjatë i Kinës me Indinë daton që nga lufta e vitit 1962 mbi kufirin e tyre Himalajan. Në vitet e fundit, marrëdhëniet arritën një pikë të re të ulët pasi të dyja palët pësuan viktima në përleshjet kufitare në vitin 2020. Tensionet u ngritën përsëri në maj për shkak të përdorimit të armëve kineze gjatë konfliktit me Pakistanin. Ndërsa Kina dhe India, të armatosura me armë bërthamore, kohët e fundit kanë kërkuar një afrim, analistët thonë se kjo është taktikë, pasi të dyja palët përqendrohen në trajtimin e Trump.
Joshja e Kinës ndaj fqinjëve të Indisë shkon përtej armëve dhe përfshin premtime për investime përmes programit të Kinës për infrastrukturën “Rruga dhe Brezi” (Belt and Road), sipas analistëve.
“Ndërsa Indisë i mungon kapaciteti për të nxitur zhvillimin ekonomik rajonal, ajo mbetet e pavullnetshme për të parë vendet e jashtme të ndihmojnë fqinjët e saj në çuarjen përpara të progresit të tyre ekonomik dhe social, pasi kërkon të ruajë epërsinë e saj gjeopolitike,” tha Liu në shkrimin e tij në Global Times.
Kina nuk po përpiqet ta frenojë Indinë, thotë Lin Minwang, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fudan në Shangai. Por India po përpiqet në mënyrë aktive të frenojë Kinën përmes anëtarësimit të saj në partneritetet e mbrojtjes të udhëhequra nga SHBA si “Quad”, i cili përfshin gjithashtu Japoninë dhe Australinë.
“Unë mendoj se është mendësia e Indisë që dëshiron ta mbajë Azinë Jugore si oborrin e vet, si sferën e ndikimit të saj,” thotë Lin.
Por “rritja e Kinës ka qenë me të vërtetë një mundësi e mirë për Bangladeshin, për Sri Lankën dhe për Nepalin”, shton ai.
“Kjo është arsyeja pse tani shumica e këtyre vendeve të Azisë Jugore përpiqen të zhvillojnë marrëdhënie më të ngushta ekonomike me Kinën.”
Ndër manovrat e shumta diplomatike të Kinës në Azinë Jugore, hyrja e saj në Bangladesh është ndër më të thellat dhe më shqetësueset për Nju Delhi-n.
India beson se qeveria Yunus është shumë e butë me islamistët dhe se afërsia e saj me Kinën mund t’i lërë shtetet verilindore indiane me rëndësi strategjike të cenueshme ndaj tensioneve kufitare. Shtetet janë të lidhura me pjesën tjetër të Indisë nga Korridori i ngushtë Siliguri.
Gjatë vizitës së tij në Pekin në mars, Yunus i nxiti këto frikëra duke i përshkruar shtetet verilindore të Indisë si “të rrethuara nga toka” dhe rrjedhimisht të varura nga Bangladeshi për hyrjen në oqean. Bangladeshi gjithashtu mund të bëhet “një zgjatim i ekonomisë kineze”, tha ai.
Bangladeshi ka ringjallur një projekt me Kinën për të zhvilluar zonën strategjike të lumit Teesta pranë kufirit me Indinë dhe i ka lejuar Kinës të modernizojë dhe zgjerojë qendrën e dytë më të madhe të transportit të vendit, portin Mongla.
Ai gjithashtu ka qenë në diskutime me Pekinin për të blerë avionë luftarakë J-10 Vigorous Dragon – të njëjtët që forcat ajrore pakistaneze përdorën për të rrëzuar avionët luftarakë indianë në maj – dhe ka kërkuar ndihmën e Kinës për të luftuar potencialisht dezinformimin në internet që pretendohet se vjen nga India, thonë njerëz të afërt me Yunus.
“Nga këndvështrimi ynë, ne duhet t’i afrohemi Kinës,” thotë një zyrtar i lartë i Bangladeshit, pjesërisht sepse kjo “do ushtronte presion mbi Indinë”.
Të tjerë theksojnë se Bangladeshi ka pasur gjithmonë një marrëdhënie ekonomike pozitive me Kinën.
“Kina është një burim kryesor i importeve të Bangladeshit. Kina i ka ofruar Bangladeshit kredi të buta dhe tregtare. Investimet kineze janë mjaft të larta në sektorin e veshjeve dhe sektorë të tjerë kryesorë,” thotë Khondaker Golam Moazzem, drejtor kërkimi në Qendrën për Dialogun e Politikave, një institut studimi me bazë në Daka.
“Por ajo që po ndryshon është marrëdhënia politike. Pra, larg Indisë, më afër Kinës.”
Në këtë drejtim, SHBA duket se pa dashje po ndihmon shtytjen diplomatike të Pekinit. Në takimin trepalësh me Pakistanin dhe Bangladeshin, ministri i Jashtëm ëang Yi tha se Kina kishte tarifa zero për produktet e Bangladeshit, “duke krijuar mundësi për zhvillimin e tij”. Në të kundërt, ai theksoi, “Shtetet e Bashkuara vendosin një tarifë 35 për qind, që është e paarsyeshme dhe joetike”. Tarifa e SHBA-së që atëherë është ulur në 20 për qind.
Një tjetër nismë e rëndësishme diplomatike për Kinën ka qenë nxitja e saj për një pajtim midis Bangladeshit dhe Pakistanit, aleatit më të ngushtë të Pekinit në rajon, me të cilin Bangladeshi zhvilloi një luftë brutale për pavarësi në 1971 me mbështetjen indiane.
Që nga fillimi i vitit, shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali më i lartë Asim Munir, dhe gjeneralë të tjerë kanë mirëpritur krerët e lartë të Bangladeshit në Islamabad dhe Ravalpindi, duke ofruar bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe shitje të pajisjeve ushtarake si avioni luftarak i përbashkët pakistanezo-kinez JF-17 Thunder.
Në shkurt, të dyja vendet rihapën lidhjet tregtare të drejtpërdrejta për herë të parë në më shumë se 50 vjet, ndërsa në gusht, ministri i Jashtëm dhe ministri i Tregtisë i Pakistanit, Ishaq Dar dhe Jam Kamal Khan, udhëtuan për në Daka në udhëtimin e parë të profilit të lartë të tillë në kryeqytetin e Bangladeshit në mbi një dekadë.
Yunus ishte “një drejtues që frymëzon botën”, tha Dar, duke premtuar se fluturimet e drejtpërdrejta midis Pakistanit dhe Bangladeshit do rifillonin. Ai dhe Yunus u zotuan të ringjallin Shoqatën e Azisë Jugore për Bashkëpunim Rajonal (South Asian Association for Regional Cooperation), një organ ndërqeveritar që është paralizuar nga konflikti midis Indisë dhe Pakistanit.
Megjithatë, analistët thonë se marrëdhënia Bangladesh-Pakistan ende është hijezuar nga çështjet e pazgjidhura nga lufta dekada më parë. Gjatë bisedimeve midis sekretarëve të jashtëm të vendeve në Daka në prill, Bangladeshi i bëri presion Pakistanit për një kërkim faljeje për mizoritë e ushtrisë së tij në 1971 dhe një zgjidhje për miliarda dollarë kërkesa që rrjedhin nga ndarja e vendit.
“Tani ka një përpjekje për t’u riafruar me Pakistanin,” thotë Shafqat Munir, studiues i lartë në Institutin e Bangladeshit për Studimet e Paqes dhe Sigurisë.
“Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë se viti 1971 nuk mund të lihet mënjanë për përmirësimin e marrëdhënies.”
Ndërkohë, marrëdhënia e Kinës me Pakistanin është bërë edhe më e ngushtë. Në fillim të gushtit, ushtria e Pakistanit u bë ushtria e parë e huaj që përfshiu helikopterët sulmues kinezë Z-10ME në flotën e saj. Të njëjtin muaj Kompania Ndërkombëtare e Ndërtimit të Anijeve e Kinës lëshoi të tretën nga tetë nëndetëset hibride të klasës Hangor të destinuara për Pakistanin, të dizajnuara për të konkurruar me Indinë në Detin Arabik.
Forcat ajrore të Pakistanit janë gjithashtu në bisedime me Kinën për blerjen e mbi 30 avionëve luftarakë stealth J-35 para fundit të vitit 2026.
Dërgesat e armëve të Kinës “forcojnë kapacitetin e Pakistanit si një përpjekje për të sjellë më shumë barazi në marrëdhëniet Indi-Pakistan,” thotë Yun Sun, drejtor i programit të Kinës në Qendrën Stimson.
Përveç përpjekjeve të saj diplomatike për të pajtuar Pakistanin dhe Bangladeshin, Kina ka ndërmjetësuar lidhjet midis Pakistanit dhe Afganistanit të qeverisur nga Talibanët. Këto janë përkeqësuar mes militantizmit në rritje përgjatë kufirit perëndimor të Pakistanit, i cili ka vrarë edhe punëtorë kinezë, dhe dëbimit të pothuajse 1 milion afganëve nga Pakistani. Kina gjithashtu u ka bërë thirrje publikisht Talibanëve që të godasin grupet separatiste ujgure që veprojnë nga toka afgane.
Në fund të majit, Wang i Kinës siguroi një premtim nga Islamabadi dhe Kabuli për të shkëmbyer ambasadorë dhe për të thelluar bashkëpunimin Rrugë dhe Brezi.
Megjithatë, edhe pse Pekini ka punuar për të izoluar Nju Delhi-n diplomatikisht, të dyja vendet janë përpjekur të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre të ftohta në publik.
Wang vizitoi Delhi-n në gusht dhe 10 ditë më vonë, Modi bëri vizitën e tij të parë në Kinë në shtatë vjet për një takim të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një samit rajonal i sigurisë. Atje, Modi u fotografua duke qeshur dhe duke bërë shaka me Xi dhe Presidentin Rus Vladimir Putin. Xi i tha se Kina dhe India ishin “partnerë, jo rivalë”, dhe të dyja palët ranë dakord të rifillonin fluturimet e drejtpërdrejta këtë muaj, të cilat ishin pezulluar që nga viti 2020.
Afrimi filloi edhe para zgjedhjes së Trump vitin e kaluar dhe po nxitej kryesisht nga pragmatizmi midis dy palëve, thonë analistët.
Ndërsa India përpiqet të ngjisë zinxhirin e vlerës së prodhimit, duke tërhequr furnizuesit e kompanive si Apple, i duhen përbërës dhe ekspertizë kineze. Kjo është pavarësisht se tashmë ka një deficit tregtar masiv me Kinën prej gati 100 miliardë dollarësh.
“Kjo është një dëshirë më taktike, e llogaritur për të gjetur një rrugë përpara në një sërë aktivitetesh, veçanërisht tregti dhe investime,” thotë Markey i Qendrës Stimson.
“Kjo nuk është India që po rimendon thellësisht pozicionin dhe shqetësimet e saj për Kinën.”
Analisti i Gavekal, Tom Miller, tha në një raport se India po ndjek “autonominë strategjike”, duke kultivuar marrëdhënie me shumë partnerë pa u rreshtuar në mënyrë vendimtare me asnjë prej tyre.”
“Kina mbetet një kundërshtar, edhe nëse mund të jetë një partner i dobishëm ekonomik,” tha Miller.
Në Daka, qëndrimi i ri i favorshëm ndaj Kinës i Nahid Islam, udhëheqës i Partisë Kombëtare të Qytetarëve, e cila u themelua nga studentët që drejtuan revolucionin e vitit të kaluar, shpjegon rëndësinë e sfidës me të cilën përballet India për të rifituar aleatin e saj të vjetër.
Islam, i cili vizitoi Pekinin në gusht dhe gjithashtu u nderua me veprën e Xi-së si suvenir, thotë se për Kinën, Bangladeshi është “pjesë e një rreshtimi të ri politik” dhe se Pekini po sheh shumë përpara.
“Kinezët na dhanë përparësi sepse ata mendojnë se ne jemi përfaqësues të një force të re politike dhe gjithashtu ata mendojnë se ne jemi e ardhmja, se ne mund të jemi e ardhmja për Bangladeshin,” thotë Islam.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani






