Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet me eksploziv Isuf Jacaj, person me precedentë penalë



Një ngjarje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 3 të Sarandës, ku një shpërthim i fuqishëm i ka marrë jetën 58-vjeçarit Isuf Jacaj, i njohur edhe me nofkën “Bushi”.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Sarandës, rreth orës 22:50 dyshohet se një sasi lënde eksplozive ishte vendosur në një automjet tip Toyota, në pronësi të viktimës. Shpërthimi rezultoi fatal, duke i shkaktuar vdekjen Jacajt, i cili ndodhej brenda në mjet në momentin e ngjarjes.

Isuf Jacaj rezulton me precedentë penalë që para viteve 2000 dhe është përfshirë në disa ngjarje me karakter kriminal:

  • Në qershor 2010 mbeti i plagosur gjatë një sherri me sende të forta në lagjen nr. 4.

  • Në tetor 2011 i shpëtoi një atentati me armë zjarri, po në Sarandë.

  • Në korrik 2022 u përfshi në një tjetër përplasje, ku një person u arrestua me armë zjarri dhe Jacajt iu gjet një përforcues grushti.

Prej disa kohësh ai ushtronte aktivitet në fushën e turizmit, duke transportuar turistë me skafin e tij në zonat bregdetare të Sarandës.

Burime hetimore bëjnë me dije se pista kryesore e ngjarjes lidhet me një hakmarrje të mundshme për djalin e viktimës, Klaus Jacaj, 31 vjeç, aktualisht i arrestuar për “përkrahje të autorit të krimit”. Ai akuzohet si bashkëpunëtor në ngjarjen e 17 korrikut 2025, ku Ramadan Zoto plagosi me armë zjarri dy persona në lagjen nr. 4 të Sarandës – Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lamën nga Kamza.

Vetëm pak ditë pas kësaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në automjetin e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht. Edhe kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur nga autoritetet.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po kryhen ekspertiza të imtësishme për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij atentati mafioz.