
Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, një 21-vjeçar dhe një 18-vjeçar, pasi ushtruan dhunë ndaj një efektivi dhe dëmtuan ambiente të brendshme në komisariatin ku u shoqëruan.
Në pranga kanë rënë D. S., 21 vjeç, dhe K. S., 18 vjeç. Sipas burimeve zyrtare, dy të rinjtë u shoqëruan në Komisariatin Nr. 2 gjatë orëve të para të mëngjesit, pas një incidenti ku goditën një punonjës policie që ishte në krye të detyrës.
Gjatë qëndrimit në komisariat, ata kanë shkaktuar dëmtime, duke thyer një kamerë sigurie dhe dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit. Për më tepër, dy të arrestuarit kanë kërcënuar punonjësit e tjerë të policisë që ndodheshin aty.
Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të saj.