Vendosni fjalën kyçe....

Berisha sulmon Ramën pas deklaratave për Trump: Kllounadë e turpshme, kukulla e Sorosit


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për presidentin amerikan Donald Trump, të bëra gjatë samitit të Bashkimit Politik të Europës.

Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi Ramën si “kloun ndërkombëtar” dhe tha se ai ka përdorur skenën europiane për të përqeshur SHBA-në.

“Dje shqiptarët, europianët dhe qytetarët e botës panë se kreu i organizatës kriminale të Tiranës është njëherazi edhe klouni ndërkombëtar. Edi Rama shfrytëzoi samitin e Bashkimit Politik të Europës për të përqeshur e tallur me presidentin e SHBA, konkretisht me një proces të suksesshëm si paqja e Kaukazit,” – tha Berisha.

Ai e akuzoi Ramën se “luan rolin e kukullës së George Sorosit” dhe se me qëndrimet e tij i ka bërë dëm jo vetëm Shqipërisë, por edhe Europës.

Ky është shërbimi më i keq që Rama mund t’u bëjë shqiptarëve dhe Europës. Në darkë u përpoq të marrë kthesën, duke dëshmuar edhe njëherë se sa hipokrit dhe i pakarakter është,” – theksoi kreu i opozitës.

Berisha solli në vëmendje edhe fjalën e Ramës në forumin e Bledit në Slloveni, më 1 shtator, ku kryeministri kishte deklaruar se Europa nuk duhet të presë SHBA-në për paqen në Ukrainë, pasi “Europa është mbi të gjitha kulturë e paqes”.

“Ramaduro tha se Europa është paqja, kultura e paqes, kurse tragjeditë botërore paskan ardhur nga përtej Atlantikut. Kjo është hipokrizi e pastër,” – u shpreh Berisha.