Vendosni fjalën kyçe....

Alimehmeti: 3 emrat për kreun e Tiranës janë propozime të aleatëve, PD e vonuar për alternativën e saj


Kryetari i Këshilltarëve Demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka bërë të ditur se tre emrat e publikuar si kandidatë për kreun e bashkisë së Tiranës nuk janë propozime të Partisë Demokratike, por të aleatëve të saj.

Gjatë intervistës në emisionin “Oponencë” në News24, Alimehmeti theksoi se PD ka humbur kohë në gjetjen e një kandidature të gatshme për zgjedhjet e pjesshme lokale dhe duhet të kishte përgatitur alternativën e saj.

“A është e vonuar koha? Po. Çdo orë që kalon nuk është në favor. Ndërkohë që një krah bënte luftë për të larguar Veliajn, nga ana tjetër duhet të kishim përgatitur alternativën,” deklaroi ai.

Alimehmeti shtoi se grupi i tyre ka qenë i hapur ndaj propozimeve të aleatëve dhe ka diskutuar me ta për kandidatët e mundshëm:
“Jemi zyrtarisht një grup që kemi qenë të hapur ndaj propozimeve të aleatëve. Kemi qenë dhe në takime me ta ku kemi thënë se po presim nga ju fillimisht nëse keni një pikë të fortë. Donim ta linim hapur. Kështu hiqnim dhe primaret. Ju garantoj se diapazoni është më i gjerë, këto janë propozime nga aleatët dhe partitë opozitare,” tha ai.

Alimehmeti theksoi se PD nuk do të jetë pasive dhe do të ketë një kandidaturë të fortë për të konkurruar në kryeqytet, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të zgjedhjeve në Tiranë për ndryshimin politik.