Vendosni fjalën kyçe....

Demokratët votojnë kundër, mbyllet përkohësisht qeveria në SHBA


Qeveria amerikane mbylli pjesën më të madhe të operacioneve të saj të mërkurën, pasi demokratët kundërshtuan masat e Trump duke penguar Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të arrinin një marrëveshje financimi, duke shkaktuar atë që mund të jetë një ngërç i gjatë dhe i mundimshëm.

Dyzet e katër demokratë votuan të martën për të bllokuar një plan shpenzimesh të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve vetëm disa orë para afatit të shumëpritur të financimit, duke e çuar qeverinë federale drejt një mbylljeje të plotë për herë të parë që nga viti 2013.

Nuk ka ende një rrugë të qartë për të dalë nga kjo gjendje, ndërsa agjencitë paralajmëruan se mbyllja e 15-të e qeverisë që nga viti 1981, do ndalonte publikimin e një raporti të punësimit të shtatorit, do ngadalësonte udhëtimet ajrore, do mbante pagat e trupave amerikane dhe do çonte në pezullimin e 750,000 punonjësve federalë, shkruan Reuters.

Trump, fushata e të cilit për të riformësuar rrënjësisht qeverinë federale është tashmë në rrugën e duhur për të larguar nga puna rreth 300,000 punonjës deri në dhjetor, i paralajmëroi demokratët e Kongresit se një mbyllje e qeverisë mund të hapë rrugën për veprime “të pakthyeshme”, duke përfshirë shkurtimin e më shumë vendeve të punës dhe programeve.

Mbyllja e qeverisë filloi disa orë pasi Senati hodhi poshtë një masë afatshkurtër shpenzimesh që do të kishte mbajtur operacionet qeveritare në lëvizje deri më 21 nëntor.

Demokratët e kundërshtuan legjislacionin për shkak të refuzimit të republikanëve për të bashkëngjitur një zgjatje të përfitimeve shëndetësore që do skadojnë në fund të vitit. Republikanët thonë se çështja duhet të trajtohet veçmas.