
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që transformon misionin ekzistues të sigurisë në Haiti, i fokusuar deri tani vetëm në policim, në një forcë më të madhe dhe më të fuqishme, me deri në 5,500 pjesëtarë të uniformuar, duke përfshirë policë dhe trupa ushtarake, përcjell Guardian.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, vuri në dukje se votimi nga 12 anëtarë të Këshillit të Sigurimit për të “transformuar misionin multilateral të mbështetjes së sigurisë në një forcë kundër bandave pesë herë më të madhe se ajo paraprake” tregon gatishmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ndarë barrën.
Shtetet e Bashkuara dhe Panama ishin bashkë-sponsorë të kësaj iniciative. Aktualisht, rreth 1,000 policë, kryesisht nga Kenia, janë të stacionuar në Haiti për të ndihmuar policinë lokale në luftën kundër dhunës së bandave, por rezultatet kanë qenë të përziera.
Laurent Saint-Cyr, kryetar i Këshillit Kalimtar Presidencial të Haitit, përshkroi situatën në vend si një “tragjedi njerëzore në prag të Amerikës” dhe apeloi për ndihmë më të madhe ndërkombëtare.
Kenia njoftoi mbështetjen e saj për forcimin e misionit, ndërsa OKB-ja do të krijojë një zyrë mbështetëse për logjistikën dhe financimin e këtij projekti, sipas propozimit të Sekretarit të Përgjithshëm António Guterres.
Megjithatë, Rusia dhe Kina abstenuan në votim dhe shprehën skepticizëm, duke kritikuar mungesën e financimit dhe rregullat e paqarta të angazhimit të forcës. Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, ngriti shqetësime mbi mundësinë që misioni të përdoret për qëllime të tjera, si lufta kundër kartelëve të drogës.
Haiti, vendi më i varfër në Amerikë, është përballur prej vitesh me dhunën e bandave kriminale, të cilat kryejnë vrasje, përdhunime, plaçkitje dhe rrëmbime në një kontekst të rënduar nga paqëndrueshmëria politike, që u përkeqësua që nga dorëheqja e kryeministrit Ariel Henry në fillim të vitit 2024.