
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në fjalën e saj në Kuvend ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohen seancat plenare, duke thënë se Parlamenti nuk duhet të reduktohet në një noter formal të vendimeve të maxhorancës.
“Parlamentit i shkon që të mblidhet dhe të diskutojë për çështjet e qytetarëve. Të diskutojë për problematikat e qytetarëve, për projektligje dhe jo të mblidhet të bëjmë thjesht noterin e atyre që vendosni ju atje,” deklaroi Zhupa.
Ajo akuzoi shumicën për kalimin me procedura të shpejta të një numri të madh projektligjesh:
“Shumicën që sollët sot, sollët 19 projektligje në një ditë për t’i miratuar. Kam disa vërejtje se si niset kjo seancë. Kush janë prioritetet e këtij Kuvendi? Dua të them që prioriteti i këtij Kuvendi nuk mund të jetë thjesht kartoni, për të ngritur një karton dhe për të kaluar një procedurë në 5 minuta.”
Zhupa theksoi se prioritet duhet të jenë transparenca dhe llogaridhënia.
“Duhet të jetë demokracia, transparenca, llogaridhënia dhe bërja e interesit publik. Këto kanë munguar në këto seanca, këto kanë munguar dhe në atë procesverbal. Dhe sigurisht do të mungojnë edhe në procesverbalin e ardhshëm, sepse nuk po flitet për qytetarin.”- tha Zhupa.
Deputetja e PD solli në vëmendje edhe raportin e fundit të DASH, duke kritikuar Kuvendin që nuk e ka vënë në diskutim.
“Del raporti i DASH dhe ky Kuvend nuk e diskuton. Ky është tregues se sa pak interesohet kjo sallë për problemet e qytetarëve dhe për çështjet që kanë rëndësi reale për publikun.”- u shpreh Zhupa.