Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Rritja e çmimeve, problemi më i madh i familjeve shqiptare



Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin lidhur me rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës, duke e cilësuar këtë si një nga problemet më të mëdha me të cilat përballen familjet shqiptare sot.

Sipas Tabakut, “çdokush që më kontakton e ka si problem kryesor shtrenjtimin e jetesës. Rritja e çmimeve me rreth 20% për produktet bazë të shportës gjatë viteve të fundit ka bërë jetën e një familjeje shqiptare pothuajse të pamundur.”

Ajo solli shembullin e një familjeje të vogël me katër anëtarë, që shpenzon mesatarisht 38,700 lekë në muaj vetëm për ushqime. “Ç’mund të bëjë një familje me dy paga minimale prej 40 mijë lekësh? Ç’të paguajë më parë, si mund t’ia dalë?” – u shpreh Tabaku, duke theksuar se edhe paga minimale nuk zbatohet në mënyrë të barabartë në të gjithë bizneset.

Deputetja e PD kritikoi gjithashtu faktin se Shqipëria renditet e fundit, jo vetëm në Ballkan, por edhe në nivel global, sa i përket rritjes së pagave. Ajo theksoi se kjo situatë është pasojë e mungesës së konkurrencës në treg, zhvlerësimit të euros dhe rënies së të ardhurave të disponueshme për familjet.

“Ky model ekonomik punon vetëm për një pakicë. Shumica e qytetarëve ndihen të lënë pas dore, sepse nuk ka shpërndarje të barabartë të rritjes ekonomike dhe të ardhurave”, shtoi Tabaku.

Për të zgjidhur këtë situatë, ajo theksoi se nevojitet vetëm vullnet politik, një vullnet që sipas saj, qeverisë aktuale i ka munguar gjatë gjithë këtyre viteve.