Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu në OKB: “Do ta përfundojmë punën në Gaza” – delegacionet braktisin sallën


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, përdori një gjuhë sfiduese në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku deklaroi se Izraeli do të “përfundojë punën” në Gaza, ndërsa e quajti të çmendur vendimin e vendeve perëndimore për të njohur shtetin palestinez.

Vetëm disa ditë pas njohjes së Palestinës nga Britania, Franca, Kanadaja, Australia dhe shtete të tjera, duke u distancuar nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara, Netanyahu hodhi poshtë idenë e një zgjidhjeje me dy shtete, duke thënë: “Është marrëzi e pastër. Është e çmendur dhe nuk do ta bëjmë.”

Ai e krahasoi këtë vendim me dhënien e një shteti Al-Kaedës pranë New York-ut pas sulmeve të 11 Shtatorit.

Reagimi në sallë ishte i fortë: sipas Washington Post, mbi 100 diplomatë nga më shumë se 50 vende u larguan sapo Netanyahu hyri për të folur.

Në sallën gjigante të Asamblesë së Përgjithshme, me kapacitet 1.800 vende, pjesëmarrja mbeti kryesisht simbolike. Delegacionet e SHBA-së dhe Britanisë ishin të pranishme, por të përfaqësuara nga diplomatë të niveleve të ulëta.

Netanyahu akuzoi vendet që njohën Palestinën për një vendim “të turpshëm” që, sipas tij, “do të inkurajojë terrorizmin kundër hebrenjve dhe njerëzve të pafajshëm kudo në botë”.

Ai këmbënguli se Izraeli do të vazhdojë ofensivën në Gaza, veçanërisht në qytetin e Gazës ku, siç tha ai, janë fshehur mbetjet e Hamasit: “Izraeli duhet ta përfundojë këtë punë për të mos u përballur më me sulme si ai i 7 Tetorit, sërish dhe sërish. Prandaj duam ta bëjmë sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Duke iu përgjigjur akuzave ndërkombëtare për gjenocid, Netanyahu u shpreh: “A do të lutej një vend që kryen gjenocid me popullsinë civile që të largohet nga zonat e rrezikshme?”

Ai gjithashtu pretendoi se shumë liderë të huaj që e kritikojnë publikisht, “privatisht falënderojnë Izraelin” për shërbimet e tij të inteligjencës në parandalimin e sulmeve terroriste në kryeqytetet e tyre, pa përmendur emra.

Në fjalimin e tij, Netanyahu lëshoi një ultimatum për drejtuesit e mbetur të Hamasit: “Dorëzoni armët. Lironi pengjet, të 48-at. Nëse e bëni, do të jetoni. Nëse jo, Izraeli do t’ju ndjekë kudo.”

Fjalimi u shoqërua edhe me elementë propagandistikë: ai u transmetua me altoparlantë në Gaza dhe Netanyahu përdori një kod QR që dërgonte shikuesit drejt pamjeve të sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.

Ndërkohë, mijëra protestues u mblodhën në rrugët e Nju Jorkut, përfshirë një tubim të madh në Times Square, duke kundërshtuar vizitën dhe fjalimin e tij.