Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nisim negociatat për zgjedhjet në Tiranë, kemi ngritur grupin me Nokën, Këlliçin dhe Alimehmetin



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp këtë të enjte, foli për përgatitjet në lidhje me zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen në Bashkinë e Tiranës.

Berisha bëri të ditur se ka ngarkuar një grup prej tre personash për të nisur negociatat me partitë e tjera opozitare, si brenda ashtu edhe jashtë koalicionit ekzistues.

“Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Do të jenë Flamur Noka, Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti – këta do të jenë përfaqësuesit tanë,” – u shpreh Berisha.

Ai shtoi se negociatat do të nisin shumë shpejt, dhe në disa drejtime kanë nisur që prej ditës së djeshme. Vetë Berisha nuk ka dashur të përmendë ndonjë emër konkret kandidati, duke theksuar se ky është një proces që po vijon.

“Më shkon mua të ngarkoj këta dhe nga ana tjetër të them emra? Ata do fillojnë punën. Këta tre persona janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, brenda dhe jashtë koalicionit. Pasi të biem dakord për emra, më pas vjen radha e kandidatëve. Nuk kam ndërmend të prononcohem për njeri, sepse ky është një proces – përndryshe vija këtu dhe tregoja,” – shtoi lideri demokrat.

Emri i Ilir Alimehmetit është përfolur së fundmi si një kandidat potencial i PD për Bashkinë e Tiranës, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare. Berisha la të kuptohet se çdo vendim do të vijë vetëm pas dakordësisë së gjerë me faktorët opozitarë.