Vendosni fjalën kyçe....

Sllovenia vendos ndalim udhëtimi për kryeministrin izraelit Netanyahu



Sllovenia ka vendosur një ndalim zyrtar udhëtimi për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në vijim të një sërë masash diplomatike kundër Izraelit që përfshijnë edhe embargo armësh dhe ndalim importesh nga Bregu Perëndimor, përcjell JPost.

Vendimi u njoftua të enjten nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, e cila tha se ky hap është një shprehje e angazhimit të vendit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe vlerave universale të të drejtave të njeriut.

“Me këtë veprim, Sllovenia konfirmon përkushtimin e saj ndaj të drejtës ndërkombëtare, vlerave të të drejtave të njeriut dhe një politike të jashtme parimore e të qëndrueshme,” – tha Sekretarja e Shtetit Neva Grašič, sipas një postimi të qeverisë në rrjetin X (ish-Twitter).

Grašič theksoi se ndalimi i hyrjes për Netanyahun vjen si pasojë e akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) lidhur me ofensivën izraelite në Gaza.

“Publiku është i vetëdijshëm se janë në zhvillim procedura kundër tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,” – tha ajo.

Ajo shtoi se ky vendim është një mesazh i qartë për shtetin e Izraelit që Sllovenia pret respektim të plotë të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Ky veprim vjen pas një sërë vendimesh të marra nga Sllovenia:

  • Në korrik 2025, Sllovenia shpalli “persona non grata” dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë – Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich – për deklarata gjenocidale dhe nxitje dhune kundër palestinezëve.

  • Në gusht, qeveria sllovene vendosi një embargo ndaj armëve për Izraelin si dhe ndaloi importet e produkteve të prodhuara në territoret e pushtuara në Bregun Perëndimor.

  • Po ashtu, u miratua një paketë shtesë ndihmash humanitare për Gazën.

Sllovenia, si anëtare e Bashkimit Evropian, ka bërë vazhdimisht thirrje për armëpushim në Gaza dhe për rritje të ndihmave humanitare, duke qenë një nga vendet më të zëshme në BE që kërkon përgjegjësi ndërkombëtare për veprimet e Izraelit.