
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Nju Jork me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe ecuria e procesit të integrimit evropian të Kosovës.
“Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, – u shpreh Osmani.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës u vendosën në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe. BE ka justifikuar mbajtjen e tyre me faktin se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës.
Në muajin maj 2025, gjatë një vizite në Prishtinë, Kaja Kallas deklaroi se kishte nisur heqja graduale e masave, kryesisht ato që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi për anëtarësim është bërë në dhjetor 2022, por nuk është shqyrtuar ende nga institucionet evropiane.
Së fundmi, mbi Kosovën rëndon edhe pezullimi i Dialogut Strategjik me SHBA-të, i bërë publik më 12 shtator 2025, si pasojë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës që, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë.
Ndërkohë, Prishtina vijon të mbetet pa një qeveri të re, pa ndonjë përparim të dukshëm në procesin e formimit të saj pas zgjedhjeve.