Vendosni fjalën kyçe....

VanHorn takim me kryetaren e KLP: Integriteti i zgjedhjes së Prokurorit të SPAK, thelbësor për bashkëpunimin me Shqipërinë



E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Mirela Bogdani, për të diskutuar mbi zhvillimet e rëndësishme në këtë institucion, përfshirë procesin përzgjedhës të Prokurorit të ri të Posaçëm të SPAK.

Në njoftimin zyrtar të Ambasadës së SHBA-së thuhet se integriteti i këtij procesi është kyç për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në forcimin e sigurisë së të dy vendeve.

“Integriteti i procesit për zgjedhjen e Prokurorit të Posaçëm të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona”, – thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për drejtësinë shqiptare, ndërsa pritet emërimi i ri në krye të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).