
Autoritetet e Republikës Domenikane bënë të ditur të dielën se kanë sekuestruar një pjesë të ngarkesës së kokainës që transportohej nga një gomone e shkatërruar ditët e fundit nga marina amerikane, në kuadër të një operacioni kundër narkotikëve në Karaibet jugore.
Në një konferencë për shtyp, Drejtoria Kombëtare për Kontrollin e Drogës në vend tha se janë gjetur 377 pako kokaine në bordin e mjetit, i cili sipas hetimeve transportonte rreth 1,000 kilogramë drogë.
Autoritetet saktësuan se gomonia u shkatërrua rreth 80 milje detare në jug të Isla Beata-s, një ishull i vogël në juridiksionin e Republikës Domenikane, përcjell AP.
Marina domenikane, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, arriti të lokalizonte mjetin që dyshohet se po përpiqej të hynte në territorin e vendit për ta përdorur si “urë” drejt Shteteve të Bashkuara.
“Kjo është hera e parë në histori që Shtetet e Bashkuara dhe Republika Domenikane kryejnë një operacion të përbashkët kundër narkoterrorizmit në Karaibe,” u tha në deklaratën e Drejtorisë.
Operacioni vjen pasi në muajin gusht administrata e Trump dërgoi tetë anije luftarake dhe një nëndetëse në Karaibet jugore, të cilat sipas Shtëpisë së Bardhë kanë shkatërruar deri tani tre gomone të ngarkuara me drogë në sulme të ndara, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se një duzine personash.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Uashingtonin për ekzekutime jashtëgjyqësore, ndërsa dy senatorë demokratë paraqitën javën e kaluar në Kongres një rezolutë për të bllokuar ndërhyrje të tjera të tilla.
Administrata Trump ka deklaruar se të paktën dy nga gomonet e shkatërruara kishin nisur nga Venezuela, presidenti i së cilës, Nicolás Maduro, është akuzuar shpesh nga zyrtarët amerikanë si trafikant droge dhe drejtues i një rrjeti të njohur si “Karteli i Diellit”.
Maduro ka mohuar akuzat, duke e cilësuar praninë ushtarake amerikane në Karaibe si një agresion kundër vendit të tij.