Vendosni fjalën kyçe....

“Burokratët e Brukselit vrapojnë si pula të shushatura, rrezikojmë shpërbërjen” – Orban


Kryeministri hungarez Viktor Orban ka kritikuar ashpër Brukselin, duke akuzuar udhëheqjen e BE-së për keqmenaxhim të fushave kyçe si ekonomia, imigracioni dhe siguria.

Në një fjalim kritik në Digital Civic Circles, një rrjet grupesh dixhitale që promovojnë vlerat konservatore në Hungari, ai pretendoi se blloku ishte në prag të kolapsit për shkak të dështimeve të udhëheqësve të tij.

Kryeministri përshkroi një pamje të zymtë të “maleve të borxhit, turmave të emigrantëve, dhunës në rrugë, hijes gjithnjë e më të errët të luftës, pushimeve masive nga puna, kostove të shërbimeve në rritje, familjeve të varfra dhe burokratëve të Brukselit që vraponin si pula të shushatur”, ndërsa përshkruante problemet e BE-së.

Sipas Orban, BE-ja nuk ka arritur të vendoset si një fuqi globale e besueshme. Në vend që të ngrihet për t’u përballur me këto sfida, blloku është bërë një simbol i dobësisë, pavendosmërisë dhe kaosit të brendshëm, tha ai.

Çmimet e energjisë, vuri në dukje Orban, janë “tre deri në katër herë më të larta” se në SHBA, ndërsa vende si Franca po shkojnë drejt niveleve të paqëndrueshme të borxhit.

“Evropa, siç e njihnim dhe e donim, ka mbaruar,” paralajmëroi Orban.

“Nëse e mohojmë këtë, humbasim kohë. Nëse e themi me zë të lartë, fitojmë kohë.”