
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin masa më të ashpra kundër Rusisë, ndërsa tensionet mes Kremlinit dhe vendeve lindore të NATO-s janë në rritje, përcjell REL.
Gjatë një deklarate më 20 shtator, Zelensky theksoi se po afrohet miratimi i paketës së 19-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe bëri thirrje që edhe SHBA të ndërhyjë me masa konkrete. Ai paralajmëroi se mungesa e një armëpushimi apo e një takimi mes liderëve do të duhej të shoqërohej me sanksione të reja.
Zelensky gjithashtu shprehu gatishmërinë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin në një vend neutral, por theksoi se Kremlini vazhdon të refuzojë çdo lloj dialogu.
Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që pritet të mbahet javën e ardhshme, Zelensky tha se pret të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump, ndonëse Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar ende një takim të tillë.
Nga ana tjetër, Trump ka shprehur zhgënjim të thellë ndaj Putinit, duke thënë gjatë një vizite në Londër se “ai vërtet më ka zhgënjyer”, duke iu referuar sulmeve të përshkallëzuara ndaj qyteteve ukrainase. Ai përmendi mundësinë e vendosjes së sanksioneve ose tarifave të reja ndaj Rusisë, por pa konkretizuar veprime.