Vendosni fjalën kyçe....

Tre avionë luftarakë rusë shkelin hapësirës ajrore të Estonisë


Tre avionë luftarakë MiG-31 të ushtrisë ruse kanë hyrë pa leje në hapësirën ajrore të Estonisë, vend anëtar i NATO-s, dhe kanë qëndruar aty për disa minuta të premten, njoftuan autoritetet estoneze.

Mediat vendase raportojnë se avionët rusë nuk kishin plan fluturimi dhe nuk ishin në komunikim radio me kontrollin e trafikut ajror.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, tha për mediat se Rusia ka shkelur tashmë katër herë hapësirën ajrore të vendit vetëm gjatë këtij viti, por incidenti i fundit është më i rëndë.

“Shkelja e sotme, ku tre avionë luftarakë hynë në hapësirën tonë ajrore, është jashtëzakonisht sfiduese dhe e paprecedentë,” theksoi Tsahkna, përcjell Euronews.

Ai shtoi se “testimi gjithnjë e më i shpeshtë i kufijve nga Rusia dhe agresiviteti i saj duhet të përballen me një rritje të menjëhershme të presionit politik dhe ekonomik.”

Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi Polonia raportoi se të paktën 20 dronë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore përpara se të rrëzoheshin nga ushtria, duke e cilësuar ngjarjen si një “shkelje të paprecedentë”.

Më herët, edhe Rumania kishte njoftuar se një dron rus kishte depërtuar në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi ajror mbi Ukrainën.

Ndërkohë Rusia nuk ka reaguar ende zyrtarisht për incidentin.