Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku sqaron përse socialistët e prishën seancën e prezantimit të programit të tyre


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj vendimit të mazhorancës socialiste për të mbyllur parlamentin pa zhvilluar një debat mbi programin qeverisës, një praktikë që sipas saj nuk ka ndodhur për 35 vitet e fundit.

Në një video të publikuar në Facebook, Tabaku thekson se qeveria aktuale nuk ka një program të qartë dhe se premtimet e bëra 12 vjet më parë, si dhe ato të përsëritura para katër vitesh, nuk janë realizuar.

“Premtuan integrimin evropian, një ekonomi më të fortë, taksa më të ulëta, shëndetësi falas, arsim dhe bujqësi, ku jemi sot? Asgjë konkrete nuk ka ndodhur,” tha ajo.

Deputetja e opozitës ka kritikuar gjithashtu mungesën e reformave që sipas saj janë thelbësore për integrimin dhe për zhvillimin e sektorëve kyç ekonomikë.

 “Integrimi është kthyer thjesht në një fjalë propagande. Bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më të nënfinancuar, ekonomia nuk ka të dhëna të reja dhe taksat do të vazhdojnë të ngarkojnë shtresën e mesme,” tha Tabaku.

Tabaku akuzoi qeverinë për centralizim të pushtetit dhe përdorimin e parlamentit si një “noter të radhës” për ligje që favorizojnë interesat e veçanta.

 “Qeveria thjesht merr çdo vendim në dëm të qytetarëve dhe përdor parlamentin për të përmbushur agjendat e saj,” tha ajo.

Tabaku gjithashtu ka theksuar se sistemi shëndetësor dhe sektorët publikë janë përdorur për tendera dhe koncesione, ndërkohë që shqiptarët përballen me vështirësi të vazhdueshme.