Vendosni fjalën kyçe....

Trump e përcakton ANTIFA-n si “organizatë terroriste”


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën sinjalizoi veprime të reja kundër grupeve të krahut të majtë pas vrasjes së aktivistit politik të krahut të djathtë, Charlie Kirk, duke e shënjestruar lëvizjen ANTIFA si një “organizatë terroriste”.

Trump tha në Truth Social se po e “caktonte” lëvizjen si një organizatë terroriste.

“Unë gjithashtu do rekomandoj fuqimisht që ata që financojnë ANTIFA-n të hetohen plotësisht në përputhje me standardet dhe praktikat më të larta ligjore”, shkroi Trump.

Nuk ishte e qartë se çfarë peshe ligjore ka shpallja e Trump. ANTIFA është një lëvizje ideologjikee majtë, e organizuar pa një strukturë ose hierarki të qartë udhëheqëse, thanë ekspertët.

Ajo ishte në ballë të protestave të dhunshme anembanë SHBA-së pas vdekjes së George Floyd më 25 maj 2020, pasi një efektiv policie i vuri gjurin në fyt.

Trump dhe zyrtarët e lartë kanë fajësuar vazhdimisht grupet e krahut të majtë për krijimin e një atmosfere armiqësore ndaj konservatorëve para vrasjes së Kirk.

Shtëpia e Bardhë po përgatit një urdhër ekzekutiv mbi dhunën politike dhe gjuhën e urrejtjes, tha një zyrtar i administratës Trump më herët të mërkurën.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, në një intervistë me Fox News të mërkurën, fajësoi vazhdimisht atë që ai e quajti radikalizim politik të krahut të majtë për vrasjen, shkruan Reuters.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë po punonte shumë për të siguruar që “rrjetet e financimit për dhunën e krahut të majtë” të trajtohen si një organizatë terroriste.

Trump ka thënë gjithashtu se do hetojë George e Alex Sorosin dhe fondacionet e financuara prej tyre, duke i akuzuar për organizmin e protestave të dhunshme dhe nxitjen e dhunës në mbarë vendin me agjitatorë të paguar.

Trump fillimisht hodhi idenë e një përcaktimi të tillë për ANTIFA-n në vitin 2020 mes protestave të dhunshme mbarëkombëtare pas vrasjes së George Floyd nga policia në Mineapolis.

Protestat asokohe çuan në përplasje të dhunshme në SHBA, në thirrje e grupeve të majta për të çmontuar e hequr financimet për policinë.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për detaje të mëtejshme të mërkurën.