Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta legjenda e kinemasë, Robert Redford, në moshën 89-vjeçare



Aktori legjendar i Hollivudit, Robert Redford – i njohur si “djali i artë” i ekranit, fitues i çmimit Oscar dhe një zë i fortë për kinemanë e pavarur – është ndarë nga jeta të martën, në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e trishtë e konfirmoi zëdhënësja e tij, Cindi Berger, e cila tha se Redford ndërroi jetë “në shtëpinë e tij në Sundance, mes maleve të Utah, në vendin që e donte dhe i rrethuar nga njerëzit që e donin.” Ai vdiq në gjumë, ndërsa shkaku nuk është bërë i ditur.

Karriera e tij e ndritur nisi në vitet ‘60, për të kulmuar në dekadën pasuese me role të paharrueshme në filma si “The Candidate,” “All the President’s Men” dhe “The Way We Were”. Në vitin 1980, fitoi çmimin Oscar për regjisorin më të mirë me filmin “Ordinary People”, që po ashtu u shpall edhe filmi më i mirë i vitit.

Me flokët biondë dhe buzëqeshjen djaloshare, Redford ishte një nga ikonat më të dëshirueshme të ekranit, por ai punoi fort për të kaluar përtej imazhit të bukurisë – qoftë përmes aktivizmit politik, roleve më të vështira dhe të pafiltruara, apo përkushtimit ndaj filmave me buxhet të ulët.

Aktori luajti figura ikonike, nga gazetari i “Washington Post” Bob Woodward, tek trimi i maleve në “Jeremiah Johnson”, e deri te agjenti i dyfishtë në Universin Marvel. Por partneri i tij më i famshëm në ekran dhe mik i ngushtë jashtë tij ishte Paul Newman, me të cilin realizoi klasiket “Butch Cassidy and the Sundance Kid” (1969) dhe “The Sting” (1973), kjo e fundit fituese e çmimit Oscar për filmin më të mirë, ndërsa Redford mori një nominim për aktorin më të mirë.

Emri “Sundance” – i marrë nga personazhi i tij në “Butch Cassidy” – do të bëhej më vonë simbol i një prej kontributeve më të mëdha të Redford-it: themelimi i Sundance Institute dhe festivalit me të njëjtin emër, që për dekada u bë strehë për kinemanë e pavarur dhe talentet e reja.

Pas viteve ’70, Redford iu përkushtua më shumë regjisë dhe prodhimit, por nuk munguan rolet e rëndësishme si në “Out of Africa” (1985) dhe më vonë në “All is Lost” (2013), ku luajti i vetëm në gjithë filmin. Në vitin 2018, në atë që e quajti si filmi i tij i fundit, “The Old Man and the Gun”, Redford mori sërish vlerësime të larta.

“Ndihem me fat për një karrierë kaq të gjatë dhe të pasur. Që kur isha 21 vjeç, kam qenë pjesë e kësaj industrie. Tani që jam në të 80-at, ndoshta është koha për të tërhequr veten dhe për të kaluar më shumë kohë me familjen dhe bashkëshorten time,” – kishte thënë ai në një intervistë për Associated Press.

Robert Redford lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në artin e shtatë – si aktor, regjisor, producent, themelues festivalesh dhe një zë i guximshëm për artin që thyen rregullat.