Vendosni fjalën kyçe....

“I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk s’po bashkëpunon – Guvernatori i Utah


Guvernatori i Utah-s thotë se i dyshuari për të shtënat në Charlie Kirk nuk bashkëpunon me autoritetet. Burri i arrestuar për vrasjen e aktivistit të krahut të djathtë Charlie Kirk nuk po bashkëpunon me autoritetet, por hetuesit po punojnë për të përcaktuar një motiv për të shtënat duke folur me miqtë dhe familjen e tij, tha të dielën Guvernatori i Utah-ut Spencer Cox.

Cox tha se personi i armatosur i akuzuar, Tyler Robinson, 22 vjeç, do akuzohet zyrtarisht të martën. Ai mbetet në paraburgim në Utah, shkruan Reuters.

Hetuesit ende nuk kanë kuptuar pse Robinson dyshohet se u ngjit në një çati në Universitetin e Luginës së Utah-ut gjatë një takimi në natyrë dhe qëlloi Kirk-un në qafë nga distanca të largëta të mërkurën.

Kirk, një aleat i fortë i Presidentit Donald Trump dhe bashkëthemelues i grupit studentor konservator Turning Point USA, u vra me një të shtënë të vetme pushke gjatë eventit ku morën pjesë 3,000 njerëz në Orem, rreth 65 km larg nga Salt Lake City.

Robinson nuk është rrëfyer para hetuesve, tha Cox për programin “This Week” të ABC-së.

“Ai nuk po bashkëpunon, por të gjithë njerëzit përreth tij po bashkëpunonin dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme”, tha guvernatori republikan.

Robinson, një student i vitit të tretë në programin e praktikës elektrike në Kolegjin Teknik Dixie, pjesë e sistemit universitar publik të Utahut, u mor në paraburgim në shtëpinë e prindërve të tij, rreth 420 km në jugperëndim të vendit të krimit, pas një kërkimi 33-orësh.