
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti sot në Tiranë homologun e tij bullgar, Atanas Zapryanov, i cili zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Shqipëri i shoqëruar nga një delegacion të lartë.
Gjatë takimit, të dy ministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit rajonal përballë sfidave të përbashkëta në Evropën Juglindore.
Në fokus të bisedimeve ishin projektet strategjike për industrinë dhe infrastrukturën, ku u theksua rëndësia e Korridorit VIII dhe portit të Porto Romanos si nyje të rëndësishme për rritjen e lëvizshmërisë së forcave aleate të NATO-s në rajon.
Ministrat rikonfirmuan angazhimin për të vijuar kontributin e përbashkët në misionet ndërkombëtare, duke përmendur bashkëpunimin në Forcën e Përparuar të NATO-s në Bullgari dhe në misionin KFOR në Kosovë, si dëshmi e vendosmërisë për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.