Vendosni fjalën kyçe....

Ura e Skurajt jashtë funksionit prej vitesh, banorët të izoluar


Ura e Skurajt që lidh disa fshatra të Milotit është jashtë funksionit. Ajo ka shërbyer më herët si nyjë lidhëse mes fshatrave dhe rrugës kombëtare Skuraj-Burrel. Sipas banorëve, prishja e saj u ka shtuar kilometra të tërë për të bërë. Banori Frrok Doda tha se nga mungesa e urës për të shkuar në varrezat e fshatit u duhen dy orë, ndërkohë që dikur e bënin për 20 minuta rrugën.

“Për të shkuar tek varrezat e fshatit, që nga mungesa e urës duhet të udhëtojmë rreth dy orë, ndërsa po të ishte ura në funksion mjaftonin vetëm 20 minuta,” tha Doda.

Banorët thonë se mungesa e urës ka bërë që shumë familje të largohen nga fshati. Ajo shërbente për pesë fshatra të zonës, përfshirë edhe Ferrin e Shkopetit. Dikur ura kishte shtresim druri, më pas u mbulua me llamarinë, por u dëmtua rëndë pas hapjes së digave të HEC-it të Shkopetit, duke u përmbytur plotësisht, shkruan BW.

Banorët theksojnë se kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur rikonstruksionin e urës, por deri më sot nuk është marrë asnjë masë.