
Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën e tij të parë plenare, duke shënuar nisjen zyrtare të legjislaturës së re.
Grupi parlamentar demokrat ka mbajtur 1 minutë heshtje në nderimt të ish-deputetit demokrat Azem Hajdari i cili u vra më 12 shtator të vitit 1998, në një atentat pranë selisë së Partisë Demokratike.
Por këtij homazhi nuk iu bashkuan deputetët socialistë.
Seanca u hap me paraqitjen e raportit nga Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili kishte për detyrë të kontrollonte vlefshmërinë ligjore të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur.
Pas miratimit të këtij raporti, deputetët e rinj bënë betimin solemn, duke marrë zyrtarisht funksionin e tyre si përfaqësues në Parlament.
Pika më e rëndësishme e ditës ishte procesi për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit.
Partia Socialiste ka propozuar Niko Peleshin si kandidat për të marrë drejtimin e institucionit ligjvënës.