Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Sarandë 50-vjeçari shqiptar i kërkuar nga Italia, tentoi të largohej me pasaportë false



Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Sarandës, pasi rezultonte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. I arrestuari është shtetasi Ermal Kostare, i njohur edhe me emrin Denis Rama, banues në Tiranë dhe me rezidencë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas njoftimit zyrtar, ai ishte dënuar nga drejtësia italiane me 18 vite burg për përfshirje në një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike. Kostare tentoi të largohej nga territori shqiptar përmes pikës kufitare detare në Sarandë, duke përdorur një pasaportë britanike me gjeneralitete të rreme, me qëllim shmangien e identifikimit.

Gjatë procedurave rutinë, shërbimet e Policisë Kufitare ngritën dyshime mbi identitetin e tij dhe e kaluan për verifikim të mëtejshëm në vijën e dytë. Falë kontrolleve të thelluara dhe përdorimit të teknologjisë biometrike për gjurmët e gishtave, si dhe bashkëpunimit me Interpol Tiranën, u bë i mundur identifikimi i saktë i 50-vjeçarit.

Pas krahasimit të të dhënave me informacionin e dërguar nga Interpol Tirana, u konfirmua se ai ishte person në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.

Ndaj tij është vendosur masa e arrestit provizor me qëllim ekstradimi. Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Romën, po ndjek të gjitha procedurat për dorëzimin e tij tek autoritetet italiane.