
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në hyrje të qytetit të Shkodrës, ku dy persona kanë kërcënuar me fjalë të rënda dhe kërcënime për jetën efektivët e forcave “Shqiponja” të policisë lokale.
Sipas burimeve të para, dy shtetas janë afruar pranë një postoblloku policor dhe kanë lëshuar deklarata kërcënuese ndaj efektivëve, duke thënë: “Do t’ju hapim barkun me plumba”, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja.
Menjëherë pas incidentit, forcat policore janë vënë në ndjekje të automjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tyre brenda një kohe të shkurtër. Të dy personat janë shoqëruar në ambientet e Policisë Vendore të Shkodrës, ku po merren në pyetje për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se njëri prej të ndaluarve është punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), i cili në momentin e ngjarjes nuk ka qenë në detyrë dhe dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit ose substancave të tjera.
Policia e Shkodrës nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi motivin e ngjarjes, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore.