
Dhjetëra banorë të Durrësit kanë kundërshtuar me forcë prishjen e banesave të ndërtuara shumë dekada më parë në një nga zonat më të rëndësishme historike të qytetit të Durrësit.
Vendimi i marrë në fund të muajit gusht nga qeveria Rama për shpronësimin e 74 familjeve që preken nga projekti TID, që do të zbatohet në atë që qeveria e ka cilësuar parku arkeologjik i qytetit, u ka rënë banorëve si bombë, sepse siç deklarojnë nuk kishin dijeni se pronat e tyre do të përfshiheshin në projekt.
Banorët kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut.
“Ne duam të rishikojet projekti. Ne kundërshtojmë sepse këto banesa kanë një histori, nuk janë shtëpi që janë ndërtuar sot. Ky lajmi na erdhi si bombë. Unë kam 64 metra katrorë, jam në mes të bulevardit, dhe bashkia kërkon të bëjë lulishte. Do prishë katër shtëpi për të qëndruar një karakatinë.” – tha njëri nga banorët.
Ndërsa një banor tjetër tha se prishja hedh poshtë punën dhe djersën e tre brezave.
Ndërkohë që shumë banesa do prishen ne zonë, jo larg godinave që preken nga projekti, ka nisur të ndërtohet një pallat shumëkatësh. Disa prej banorëve kanë kërcënuar të ndërmarrin veprime ekstreme në rast se nuk ka rishikim të projektit.
“Këtu janë hapur themelet e një pallati 2500 metra katrorë, do prishin lulishten. Ndërkohë ne po na prishin shtëpitë.” – tha një banor tjetër.