Vendosni fjalën kyçe....

Prezantohet “Lidership” i Kisinger, një prej mendjeve botërore mbi artin e udhëheqjes


Qendra për Hapje dhe Dialog prezantoi librin “Lidership”, me autor Henri Kisinger, që vjen në shqip përmes një botimi të veçantë, ku përmes gjashtë rrëfimesh spektakolare mbi gjashtë udhëheqës botërorë, mund të admirohet gjenialiteti i një prej mendjeve më të mprehta të politikës botërore mbi artin e udhëheqjes.

Kryeministri Rama në përgjigje të ftesës së shtëpisë botuese “Media Union” shkruajti parathënien e librit në fjalë dhe ndau opinionet e tij, teksa moderoi diskutimin e një paneli të ftuarish me gazetarë, analistë e studiues, mes të cilëve emra të spikatur të politikës europiane, si ish Kryeministri italian, Massimo D’Alema.

“Kjo është një mbrëmje shumë e veçantë besoj, jo vetëm për një arsye, por më shumë se një arsye dhe kryesorja është mundësia që na ka dhënë shtëpia botuese “Media Union” me përkthimin në shqip të një libri të jashtëzakonshëm, të një autori të jashtëzakonshëm, i cili është një libër që unë besoj se edhe për dikë që nuk do t’ia dijë fare për politikën apo për historinë e politikës, është tërheqës nga fillimi deri në fund.

Ka qenë një nga ushtrimet më të vështira për mua në sensin e përgjegjësisë, sepse të fusësh fjalët e tua në një liber, ku janë edhe fjalët e njeriut të jashtëzakonshëm për nga shumë gjëra, po edhe për nga aftësia e të shkruarit nuk është diçka shumë e lehtë.” – u shpreh Kryeministri Rama në nisje të diskutimeve, duke ia kaluar fjalën përfaqësuesit të shtëpisë botuese, z. Niko Leka, i cili ndau disa fakte mbi autorin dhe librin e tij.

“Kisinger ka shkruar shumë libra. “Lidership” e ka shkruar në moshën 99 vjeçare dhe ishte një lloj testament për liderët e botës, duke bërë një zgjedhje me shumë kujdes të 6 figurave dhe përveç këtyre, libri ka një hyrje shumë të bukur dhe konkluzion të mrekullueshëm.” – u shpreh z. Leka.

Ai vlerësoi kujdesin me të cilin autori ka përzgjedhur gjashtë figura kyçe të shekullit XX, si Sharl Dë Gol dhe Margaret Thaçer, të cilën e cilësoi si “kampione të demokracisë”.

“Më kanë lënë mbresa veçanërisht momentet e vetmisë që këta liderë kanë përjetuar kur marrin vendime të mëdha. Libri sjell konkluzione të thella për mënyrën si është zhvilluar lidershipi përmes periudhave historike, nga iluminizmi te demokracia moderne, nga aristokracia te meritokracia. Këto janë hapa që nuk duhen harruar dhe duhet të respektohen,” theksoi z. Leka.

Kryeministri Rama vlerësoi veçanërisht përkthimin e librit, i cili ka ruajtur fuqinë autentike të frazës, duke përcjellë qartësisht mesazhet tek lexuesit.

“Për hir të së vërtetës, të paktën në këndvështrimin tim përkthimi është goxha i shëndetshëm po themi dhe të jep një lirshmëri në lexim dhe duke e pas lexuar më parë në variantin origjinal pata pak frikë ta hap se thashë mos ndoshta do binte ajo fuqia e mprehtë e autorit, por përkthimi është goxha i shëndetshëm dhe unë dua t’i komplimentoj përkthyesit mbase janë këtu.” – tha, lidhur me këtë aspekt, Kryeministri Rama, teksa i dha fjalën Massimo D’Alema, personalitet i politikës italiane, i cili ndau me të pranishmit disa impresione të tij mbi librin dhe personalitetin krijues të Kisinger.

Më pas, gjatë diskutimit, Kryeministri Rama u shpreh lidhur me botimin: ”Unë them që libri ia vlen në shumë drejtime, por jam dakord me kryeministrin D’Alema që momentet më spektakolare të librit janë “hyrja” dhe “fundi”, ku flet vetë autori dhe është shumë befasues në fund një moment kur ai flet për atë që e përmendi Kryeministri, rënien e madhe morale, rritjen e pjerrësive, e dallgëve, e humnerave në situatën e sotme dhe pastaj në momentin që të krijon të gjithë ndjesinë që më pak ose më shumë të gjithë e kemi, nga koha e sotme, kalon te pjesa fare e fundit, ku kujton takimin e tij në vitin 1967, mos gabohem takimin e fundit me Adenauer-in, i cili ishte shumë i shqetësuar pikërisht për të njëjtat gjëra që jemi të shqetësuar ne sot dhe e pyet Kisinger-in e i thotë: A mendon ti se ka akoma sot mundësi që të ketë një udhëheqje me sens afatgjatë? Dhe a mendon ti se sot mund ta nxjerri bota një udhëheqës të vërtetë? Të vërtetë në sensin e këndvështrimit, praktikisht të gjithë librit dhe është pak si ajo historia jonë me fëmijët që na duket sikur janë të pashpresë, në raport me çfarë iu kërkojmë ne, ndërkohë që gjithmonë kështu ka ndodhur me prindërit kur kanë përjetuar tek fëmijët ndryshimin e kohës.

Pastaj, Kisinger e vazhdon duke prekur pikërisht edhe njëherë nga e para disa prej personazheve që ka libri dhe duke thënë që: Sadati doli në momentin kur ishte absolutisht e paimagjinueshme që mund të ndodhte ajo kthesë.

Po kështu Nikson shkoi në Kinë në një moment kur askush nuk e imagjinonte që do çohej presidenti i Amerikës e do shkonte në Kinë dhe në mbyllje të këtij rrethi i kthehet Machiavelli, i cili thoshte se krizat e mëdha të kësaj natyre vijnë pas një momenti të gjatë qetësie dhe komforti të krijuar nga një situatë përgjithësisht stabël, pa asnjë ngritje në një nivel tjetër dhe këtu sigurisht që ka një dritë shprese në fund të këtij tuneli ku ka hyrë bota.

Por natyrisht, ashtu sikundër, nuk mund të parashihet më parë se kush dhe si do të dilte në një apo në një aspekt tjetër dhe si një figurë në mes të një situate krize të caktuar do të bëhej akullthyesi që do të kthente përmbys gjithë paradigmën. Paradigmën edhe ne nuk mund ta dimë, as “kur”, as “si”, as “ku”, e me radhë.

Por në të gjitha rastet, edhe pse historia nuk përsëritet në mënyrë ciklike, pra historia nuk është një libër që mund ta lexosh dhe të parashikosh se çfarë do të ndodhi duke lexuar atë libër.

Historia ka shumë mësim brenda dhe patjetër që në këtë sens, ma ha mendja se zor të ketë pasur një të dytë në arenën e madhe të politikës ndërkombëtare, që të ketë pasur nga njëra anë njohjen kaq thellë të historisë së Henri Kisinger dhe nga ana tjetër, mprehtësinë për të kapur në kohë se si mund të ndërhyhej për të bërë atë që ai kishte fiksimin e tij absolut, ekuilibrin, ekuilibrin, ekuilibrin.

Dhe tek qasja e tij realiste që për shumëkënd ishte një qasje imorale ndaj botës, në fakt shtysa themelore ishte gjithmonë ekuilibri, ekuilibri i forcave. Dhe duke qenë se këtu u fol për episode unë e kam të pamundur të ndaj me ju bisedën me të për tema të nxehta të aktualitetit, ku mora përgjigje shumë interesante, por ka një moment në libër që për mua është i jashtëzakonshëm dhe që duhet t’ju vlejë të gjithë atyre që trajtojnë sot çështjen e Kinës dhe raportin me Kinën. Është momenti kur Kisinger dhe Zhou Enlai kanë shkruar gjithë tekstin e dokumentit historik i Communique-s të famshme të Shanghait dhe ka një problem që është Tajvani. Madje Kisinger aty bën një propozim që ka hyrë në terminologjinë historike si një inovacion i jashtëzakonshëm me termin ambiguitet strategjik, që propozon që të dyja palët Kina dhe Tajvani të pranojnë që ka një Kinë po secilës prej tyre t’iu lihet liri që të mendojnë që ajo një Kinë është e tyrja. Edhe Zhou Enlai i thotë këtu s’kam fuqi të jap përgjigje, duhet të pyes Chairman Maon dhe shkon tek Mao Zedong dhe i thotë “jemi Ok me të gjitha, ka një pikë që është Tajvani ku doktor Kisinger propozon të biem dakord që ka një Kinë dhe këtë të themi ne, këtë të thonë dhe në Tajvan dhe jemi të lirë ta mendojmë që kjo “një Kina” është e njërit apo e tjetrit, por gjithmonë ka një Kinë. Dhe Mao i thotë vetëm kjo është pika ku s’keni rënë dakord. Po i thotë. Epo mirë i thotë s’ka problem, “pranojmë dokumentin dhe te çështja e Tajvanit kthehemi pas 100 vjetësh”.

Dhe unë besoj që këtu është një shembull që i thotë të gjitha për kapacitetin strategjik të Kinës që bazohet në sistemin e tyre, që bazohet në traditën e tyre, që bazohet në kulturën e tyre dhe të cilin perëndimi ose nuk do ta kuptojë ose nuk arrin ta kuptojë, por që e bën Kinën një aktor me më shumë sesa atë palë të kartave që është në tryezën e lojës.

Dhe duke kuptuar këtë, Nixoni dhe Kisinger ndërtuan një strategji të tërë dhe është spektakolare në libër, pjesa e Kinës dhe se si ata iu afruan Kinës dhe sepse ata iu afruan Kinës. Dhe sikur në politikëbërjen e lartë amerikane të lexohej vetëm ajo pjesë disa vite më parë, sot gjërat mund të kishin qenë ndryshe dhe pa dyshim”, përfundoi kryeministri.

Ish kryeministri italian D’Alema: Kisinger i nxitur nga një realizëm politik, i shtyrë drejt dialogut

Edhe në fjalën e tij gjatë aktivitetit, ish kryeministri italian Massimo D’Alema e vlerësoi librin “Lidership” si një testament politik dhe intelektual të Henri Kisinger, që shkon përtej analizës së gjashtë figurave historike.

“Besoj se ky libër është një testament i vërtetë i Henri Kisinger, jo vetëm për portretet që ravijëzon, për gjashtë figura të shquara politike, por edhe për dritën që hedh mbi virtytet thelbësore të lidershipit”, theksoi zoti D’Alema.

Ai theksoi se trajtimi i temës së lidershipit në këtë libër është i thellë dhe largpamës, duke përfshirë sfidat e së ardhmes dhe nevojën për udhëheqës me integritet, vizion dhe gatishmëri për dialog. “Kisinger është nxitur gjithmonë nga një realizëm politik, i shtyrë drejt dialogut me të gjithë edhe me ata që mendonin ndryshe nga ai,” – u shpreh ai.

Ish kryeministri italian ndau gjithashtu një episod personal nga takimet me Kisinger, shkruan Monitor.

“Kam pasur tre raste ta takoj. Në takimin e fundit, në Uashington, Kisinger kishte mësuar nga Bill Clinton për ndërhyrjen që pritej në Kosovë. Klinton më kërkoi të lejoja përdorimin e bazave ushtarake në Itali, por unë iu përgjigja: jo. “Shiko, – më tha Klinton-, do të kesh probleme politike për këtë ti dhe Italia.” Kisinger, që ishte prezent dhe e dëgjoi këtë, kërkoi të më takonte posaçërisht. Ky moment, tregon se sa i vëmendshëm dhe i përfshirë ishte Kisinger në zhvillimet globale dhe se “Lidership” është pasqyrë e kësaj përvoje të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike”, pohoi ndër të tjera zoti D’Alema.

Instituti Shqiptar i Medias, Remzi Lani: Mungon lidershipi jo vetëm Kisinger, por edhe burrat e shtetit.

Remzi Lani drejtues ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Medias në hapje të fjalës së tij u shpreh se ky është një auditor i vështirë dhe si ishte në dilemë se çfarë do të diskutonte.

“Po mendoja se çfarë mund të thuhet në një promovim të tillë, kur të gjitha gjërat u thanë më parë, por gjithashtu është e vështirë të flitet për njerëz që mungojnë. Mungon Kisinger dhe në botën e sotme mungon lidershipi. Pasi përfundova se lexuari librin po mendoja: Kush është sot Dë Goli? Kush është Dë Goli i sotëm që lëshon Algjerinë?

Ka menaxherë të mirë, por mungojnë burrat e shtetit. Kisinger shprehej se “Burrë shteti është ai që rrezikon”. “Mos ndiq turmën, por lere turmën të të ndjekë” – shprehej Margaret Thaçeri”.

Lani shtoi se sot te politikanët mungojnë strategjitë. “Sot shohim vetëm taktika të vogla, kalkulime elektorale apo ide populiste afatshkurtra. Prandaj ky botim është një ngjarje që duhet përshëndetur. Falenderime të veçanta për botuesit që sollën këtë libër në shqip.”

Ferit Hoxha ambasadori i Shqipërisë në Belgjikë: Libri është një “triller politik” dhe një shkollë për ne.

Ambasadori i Shqipërisë në Belgjikë, Ferit Hoxha, e nisi fjalën e tij me një lidhje personale me librin. “Ky libër ka një kuptim të veçantë për mua. Në një bisedë me Kryeministrin për çështjet e Bashkimit Europian, ai më rekomandoi pikërisht këtë libër.”

Zoti Hoxha e cilësoi “Lidership” si një libër që përmbledh jo vetëm filozofinë e Kisingerit, por edhe eksperiencën e tij direkte.

“Kisinger përcakton mënyrën e të vepruarit në diplomaci jo thjesht si një vëzhgues, por si një aktor i drejtpërdrejtë, nga epoka e Niksonit deri te ajo e Bidenit. Libri është i ftohtë si vetë Kisingeri, por njëkohësisht është një triller politik që të rrëmben përmes personazheve. Një shkollë politike për të gjithë ne, ku të gjithë do ta gjejnë veten.”

Ai theksoi rëndësinë e rolit të këshilltarit në libër, një figurë që shpesh mbetet në hije:

“Këshilltari mban përgjegjësi jo vetëm për këshillimin, por edhe për procesin e vendimmarrjes. Por momenti më kritik është kur lideri mbetet vetëm për të marrë vendimet.”

Hoxha vlerësoi ndarjen që Kisinger bën mes dy llojeve të liderëve: shtetarëve reflektivë, analitikë dhe të matur dhe profetëve të vizionit, që udhëhiqen nga ide afatgjata.

Sipas tij “nuk ka manual më të mirë për të mësuar si ushtrohet profesioni ynë. Ky libër është një shkollë për të gjithë ne, që punojmë në diplomaci e politikë.”