Vendosni fjalën kyçe....

Katari nxit Hamasin të pranojë propozimin amerikan për armëpushim dhe lirimin e pengjeve



Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka shtyrë liderët politikë të Hamasit të “përgjigjen pozitivisht” ndaj propozimit të fundit amerikan për armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e robërve në Gaza, gjatë takimeve të zhvilluara në Doha të hënën, bëri të ditur një zyrtar për Jerusalem Post.

Propozimi amerikan, i transmetuar përmes ndërmjetësve, synon të sigurojë një armëpushim dhe lirimin e 48 robërve izraelitë, duke përfshirë edhe trupat e atyre që kanë humbur jetën, në këmbim të një garancie personale nga Presidenti amerikan Donald Trump se konflikti nuk do të rifillojë derisa të zhvillohen negociata të mëtejshme midis Izraelit dhe Hamasit.

Megjithatë, Hamas ka shprehur dyshime për propozimin, duke thënë se ai përmban “shumë kurtha dhe pengesa” që duhet të zgjidhen, dhe theksojnë se nuk përmenden tërheqja izraelite nga korridoret kyçe si Philadelphi apo hapja e kalimit të Rafahut. Gjithashtu, grupi terrorist thotë se lirimi i disa robërve në ditën e parë të marrëveshjes do të jetë i vështirë për shkak të kushteve të terrenit.

Propozimi përfshin gjithashtu lirimin e 2,000 deri në 3,000 të burgosurve palestinezë, përfshirë edhe ata të dënuar për vrasje, dhe pezullimin e operacionit ushtarak izraelit në qytetin e Gazës.

Hamas po kërkon garanci nga vendet garantuese, përfshirë SHBA-në, për një përfundim të qëndrueshëm të luftës.