
Me trazira u shoqërua protesta më e fundit studentore në Novi Sad, qytetin e dytë më të madh të Serbisë, të premten në mbrëmje.
Demonstruesit hodhën gurë dhe shishe drejt oficerëve të policisë jashtë ndërtesës së Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Novi Sadit, kurse policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Studentët akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe po kërkojnë llogaridhënie pas shembjes së një tendë betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit nëntorin e kaluar, e cila vrau 16 persona, shkruan RT.

Protestuesit kanë organizuar demonstrata në Beograd dhe qytete të tjera për muaj të tërë, ndërsa bllokuan edhe institucionet arsimore.
Përleshjet e së premtes shpërthyen pasi studentët kërkuan që policia të tërhiqej nga kampusi i Fakultetit të Filozofisë, ku u vendosën muajin e kaluar nga dekani Milivoj Alanovic. Grupi aktivist Blokada FFUNS, i cili organizoi bllokadën, akuzoi Alanovicin për abuzim me pushtetin e tij.
Mediat serbe raportuan se disa persona u arrestuan jashtë kampusit. Sipas Blokada FFUNS, një student u godit në këmbë me një plumb gome.
Drejtori i Policisë Dragan Vasiljevic tha se oficerët ndërhynë pasi morën raportime për “një sulm” ndaj oficerëve të sigurisë që mbronte kampusin.
“Të gjithë qytetarët duhet të respektojnë ligjet dhe rregulloret e këtij vendi”, shtoi ai.
Protestat kanë shkaktuar tashmë dorëheqjen e kryeministrit Milos Vuçeviç dhe arrestimin e disa zyrtarëve, përfshirë një ish-ministër të tregtisë, me akuza për korrupsion.
Presidenti Aleksandar Vuçiç ka pohuar se trazirat u nxitën nga jashtë dhe ka denoncuar atë që ai e quajti “dhunë e maskuar si aktivizëm”.