Vendosni fjalën kyçe....

Australi/ Panik në plazhet e Sidneit, peshkaqeni copëton surferin 57-vjeçar para pushuesve


Një burrë 57-vjeçar ka humbur jetën të shtunën në një sulm fatal nga një peshkaqen në plazhin Dee Why, në veri të Sidneit, duke shkaktuar tronditje në komunitetin e zonës dhe mbylljen e menjëhershme të disa plazheve përreth.

Sipas autoriteteve australiane, sulmi ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit me orën lokale, në Long Reef Beach, sipas AP.

Viktima u nxor nga uji në gjendje kritike, por fatkeqësisht ndërroi jetë në vendngjarje. Policia ka konfirmuar se dy copa të dëmtuara të një dërrase surfimi janë sekuestruar për ekzaminim.

“Peshkaqeni e sulmoi për vdekje një burrë në të 50-at, ndërsa ekipet e emergjencës nuk mundën ta shpëtonin,” thanë autoritetet, duke shtuar se po punojnë me ekspertët për të përcaktuar llojin e peshkaqenit të përfshirë.

Dëshmitarë thanë se dy surferë e ndihmuan viktimën ta nxirrnin në breg, ndërsa familjarët e tij të dëshpëruar mbërritën menjëherë në vend.

Pas ngjarjes, plazhet përreth u mbyllën, ndërsa Surf Life Saving NSW përdori drone për të kërkuar gjurmë të tjera të peshkaqenit.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës në këtë tragjedi të tmerrshme,” u shpreh drejtori ekzekutiv i organizatës, Steve Pearce, duke u bërë thirrje pushuesve të qëndrojnë larg ujit në zonën përreth.

Ky është sulmi i parë fatal nga një peshkaqen në shtetin e Uellsit të Ri Jugor për vitin 2025. Ngjarja e fundit tragjike e tillë në Sidnei daton në shkurt të vitit 2022, që ishte edhe rasti i parë fatal pas vitit 1963.

Autoritetet kujtojnë se vetëm këtë javë ishin vendosur rrjeta mbrojtëse kundër peshkaqenëve në 51 plazhe midis Newcastle dhe Wollongong, si pjesë e programit sezonal të sigurisë.