Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi synon anëtarësimin në BE brenda vitit 2028


Mali i Zi po lobon tek të gjithë udhëheqësit në Bashkimin Evropian që ta lejojnë kombin ballkanik të bashkohet me bllokun më të madh tregtar në botë dhe të miratojë zyrtarisht euron në të njëjtën kohë deri në vitin 2028.

Ekonomia bregdetare e vendit me 600 mijë banorë, është e varur nga turistët dhe është në krye mes 10 vendeve që kërkojnë të bashkohen me bllokun me 27 anëtarë dhe gjithashtu e para që tashmë përdor euron, megjithëse në mënyrë të njëanshme. Pas rënies së Jugosllavisë, ajo nuk kishte monedhën e vet, duke përdorur fillimisht markat gjermane dhe më pas euron.

“BE-së i duhet një histori suksesi”, tha presidenti Jakov Milatoviç në një intervistë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Skenari bazë është që Mali i Zi mund t’i bashkohet bllokut deri në fund të mandatit të Komisionit aktual. Në kohën kur hyjmë në Bashkimin Evropian, do ishte optimale të hynim edhe në zonën e euros.”

Kjo do vendoste një precedent të ri për BE-në. Zgjerimi i saj duket se do përfshijë vendet ish-komuniste nga Ballkani Perëndimor si një mënyrë për të stabilizuar një pjesë të paqëndrueshme të Evropës dhe për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë dhe gjurmën ekonomike të Kinës, shkruan Bloomberg.

Për Malin e Zi, rezultati që duhet shmangur me çdo kusht është detyrimi për të përshtatur një monedhë të përkohshme të ndryshme përpara se të kalojë zyrtarisht në euro.

Milatoviç, i cili u zgjodh me votim popullor, mendon se madhësia e vendit dhe fakti që ai tashmë është anëtar i NATO-s është një plus. Ai thotë se anëtarësimi është i arritshëm sepse vendi tashmë po e përafron veten me ligjet e BE-së.

“Mali i Zi është vendi më i vogël kandidat dhe ndonjëherë, veçanërisht duke pasur parasysh dinamikën e brendshme politike në BE, madhësia ka rëndësi”, tha ai.

“Anëtarësimi i Malit të Zi nuk do ndryshonte mënyrën se si ndahen fondet dhe sistemi ynë monetar është tashmë i përafruar. Gatishmëria institucionale është po kështu.”