Vendosni fjalën kyçe....

Xi, Putin e Modi promovojnë sfidat e reja globale në samitin SCO


Presidenti kinez Xi Jinping shtoi presionin për krijimin e një rendi të ri global ekonomik dhe të sigurisë që favorizon “Jugun Global”, duke sfiduar drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin.

Samiti mblodhi mbi 20 liderë të vendeve jo-perëndimore, mes tyre presidentin rus Vladimir Putin dhe kryeministrin indian Narendra Modi.

Duhet të vazhdojmë të mbajmë një qëndrim të qartë kundër hegjemonisë dhe politikave të forcës, dhe të praktikojmë multilateralizëm të vërtetë,” deklaroi Xi, duke aluduar për tarifat tregtare të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas Reuters.

Ai shtoi se “qeverisja globale ka arritur një udhëkryq të ri”.

Në një moment simbolik gjatë hapjes së samitit, Putin dhe Modi u panë duke ecur dorë për dore drejt Xi-t, duke dhënë mesazhin e solidaritetit mes tri fuqive.

Nëse presidenti i SHBA dhe mbështetësit e tij menduan se mund të përdornin tarifat për të vënë nën presion Kinën, Indinë ose Rusinë, kjo pamje tregon të kundërtën,” komentoi Eric Olander nga China-Global South Project.

Pas samitit, Modi udhëtoi me Putinin në limuzinën e tij të blinduar Aurus për një takim dypalësh.

 “Bisedat me të janë gjithmonë të thella dhe të vlefshme,” shkroi Modi në platformën X, ndërsa Putin e përshëndeti në rusisht si “i dashur zoti Kryeministër, mik i dashur”.

Putin theksoi se SCO po rivendos “multilateralizmin e vërtetë” dhe po krijon themelet për “një sistem të ri stabiliteti dhe sigurie në Euroazi”.

Ai shtoi: “Ky sistem sigurie, ndryshe nga modelet eurocentrike dhe euroatlantike, do të marrë parasysh interesat e një game të gjerë vendesh dhe nuk do të lejojë që një shtet të sigurojë sigurinë e tij në kurriz të të tjerëve.”

Xi propozoi krijimin e një banke zhvillimi për SCO-në dhe ofroi 2 miliardë juanë ndihmë falas për vendet anëtare këtë vit, si dhe 10 miliardë juanë kredi për konsorciumin bankar të organizatës.

Ai njoftoi gjithashtu ndërtimin e një qendre bashkëpunimi në inteligjencë artificiale për vendet anëtare dhe ftoi partnerët të marrin pjesë në stacionin e kërkimeve hënore të Kinës.

Samiti u përdor edhe për të zbutur tensionet mes Pekinit dhe Nju Delhit. Xi dhe Modi ranë dakord se “dy vendet janë partnerë zhvillimi, jo rivalë”, dhe diskutuan mënyra për të rritur bashkëpunimin tregtar.

Xi pritet të drejtojë të mërkurën një paradë të madhe ushtarake në Pekin, me praninë e Putinit dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për të shënuar 80-vjetorin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore, ku Kina do të shfaqë teknologjinë e saj më të fundit ushtarake.