
Regjisori i njohur shqiptar, Dhimitër Anagnosti, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetes sone! Pas nje lëngimi te gjate ju binde ligjit te jetes!
Lamtumirë babush!”, shkruan e bija.
I diplomuar në Institutin e Moskës “VGIK” në vitin 1960, Anagnosti la pas një trashëgimi të pasur artistike me 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe dhjetëra skenarë, duke u nderuar me titullin “Artist i Popullit” dhe shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare.
Ai nisi karrierën si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” me filmin “Debatik” (1961), ndërsa debutimin si regjisor e bëri me filmin “Komisari i dritës” (1966). Për dekada, Anagnosti realizoi vepra që lanë gjurmë në kulturën shqiptare, ndërsa në vitet ‘90 u angazhua edhe në jetën politike, si deputet i Partisë Demokratike dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (1992–1994).
Përveç kinemasë, ai dha kontribut edhe në teatër me dramën “Nata e trokitjeve në xham” (2001), ndërsa filmi i tij i fundit “Gjoleka, djali i Abazit” (2005) u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Dhimitër Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, Roza Anagnosti.
Ai është autor i shumë filmave shqip:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)