Vendosni fjalën kyçe....

Katër persona bien në prangat e Policisë në Tiranë, u kapën me kokainë në një lokal


Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Twins”, duke goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtij operacioni u arrestuan katër persona: Armet Latifaj, 25 vjeç, Gezim Pashaj, 30 vjeç, Petros Koronoias, 18 vjeç (shtetas grek) dhe Jastin Zaimi, 18 vjeç (shtetas grek)

Policia bëri të ditur se Latifaj dhe Pashaj u lokalizuan në një lokal në rrugën “Myslym Shyri”, ku iu gjet një pako me kokainë që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjeje.

Ndërkohë, Koronoias dhe Zaimi, të cilët ndodheshin në lokal dhe rezultojnë miq të dy të arrestuarve të parë, nuk kanë kallëzuar aktivitetin kriminal.

Hetimet zbuluan se Latifaj dhe Pashaj përdornin dy automjete të tipit “Benz”, të ngjashme mes tyre, me qëllim që të konfuzonin Policinë gjatë transportimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike.

Gjatë operacionit u sekuestruan kokaina, dy automjetet e përdorura, celularët e të arrestuarve dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Materialet e sekuestruara i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.