Vendosni fjalën kyçe....

Dha urdhër për ta shkarkuar, Trump paditet nga guvernatorja e Rezervës Federale


Guvernatorja e Rezervës Federale të SHBA-së, Lisa Cook, ka paditur presidentin Donald Trump, duke e akuzuar atë për një përpjekje të paligjshme për ta larguar nga posti i saj dhe për të minuar pavarësinë e bankës qendrore amerikane.

Në padinë e dorëzuar të enjten, Cook i kërkon gjykatës që urdhri i shkarkimit të shpallet “i paligjshëm dhe i pavlefshëm”, duke e përshkruar këtë lëvizje si një precedent të rrezikshëm. Përveç Trump-it, në padi janë përfshirë edhe kryetari i Fed-it, Jerome Powell, dhe Bordi i Guvernatorëve.

Ky rast sfidon përpjekjen e paprecedentë dhe të paligjshme të presidentit Trump për të larguar guvernatoren Cook nga posti i saj, çka nëse lejohet të ndodhë, do të ishte e para e këtij lloji në historinë e Bordit,” thuhet në dokumentin e padisë të përgatitur nga avokati i Cook, Abbe Lowell.

Kjo do të rrënonte Aktin e Rezervës Federale, i cili kërkon shfaqje të qartë të ‘arsyes’ për shkarkimin e një guvernatori. Një akuzë e pabazuar mbi dokumentet e hipotekës së dorëzuara para konfirmimit të saj nga Senati nuk e përmbush këtë standard,” shtoi ai.

Trump ka argumentuar se ekziston “arsye e mjaftueshme” për shkarkim, duke pretenduar se Cook ka dhënë deklarata të rreme në një aplikim për hipotekë. “Presidenti ushtroi autoritetin e tij ligjor për të larguar një guvernatore që ishte akuzuar në mënyrë të besueshme për mashtrim në dokumente financiare,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, për BBC.

Shkarkimi për arsye të justifikuara rrit llogaridhënien dhe besueshmërinë e Bordit të Rezervës Federale, si për tregjet ashtu edhe për qytetarët amerikanë,” shtoi ai.

Megjithatë, ekspertët ligjorë vënë në dyshim bazueshmërinë e vendimit të presidentit, duke theksuar se Akti i Rezervës Federale nuk i jep presidentit të drejtë për të shkarkuar një guvernator sipas dëshirës, përveç në rastet kur provohet një “arsye e qartë” ligjore.

Akuza ndaj Cook u hodh fillimisht nga Bill Pulte, një aleat i Trump-it dhe rregullator në sektorin e financave të banesave, i cili në një letër publike e akuzoi atë për falsifikim të të dhënave për të përfituar një kredi.

Letra pretendon se Cook ka nënshkruar dy dokumente, me dy data të ndryshme, ku dy shtëpi në dy shtete të ndryshme janë deklaruar si “banesa kryesore” e saj.

Megjithatë, deri më tani ndaj saj nuk ka asnjë akuzë penale dhe nuk është e qartë nëse është duke u hetuar.

Në mbledhjen e fundit të Fed-it për normat e interesit në fund të korrikut, Cook votoi, njësoj si Powell dhe shumica e anëtarëve të tjerë, për të mbajtur të pandryshuara normat, vendim që ka irrituar Trump-in.

Kjo përplasje ligjore pritet të përshkallëzohet dhe, sipas analistëve, mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, duke testuar kufijtë e autoritetit presidencial mbi pavarësinë e bankës qendrore.