
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke i dhënë fund ngërçit disa mujor institucional që kishte paralizuar punën parlamentare pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.
Në seancën e së martës, kandidatura e Bashës u mbështet nga 73 deputetë, përfshirë ata të VV-së, një pjesë të PDK-së dhe tre deputetë të AAK-së, ndërsa 30 votuan kundër dhe tre abstenuan.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, reagoi ashpër ndaj këtij zhvillimi, duke e cilësuar atë si një goditje për vlerat demokratike.
“Një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj. Gjithsesi ky është niveli i tyre, kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës. LDK aspiron më lartë. Kosova duhet të aspirojë më lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë,” shkroi Abdixhiku.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit pritet të hapë rrugën për plotësimin e strukturave të tjera udhëheqëse të organit ligjvënës. Tre nënkryetarë do të zgjidhen nga partitë më të mëdha shqiptare, ndërsa dy të tjerë nga pakicat serbe dhe komunitetet e tjera, duke kompletuar kështu përbërjen institucionale të parlamentit.