Vendosni fjalën kyçe....

FBI paralajmëron të moshuarit për mashtrimin miliarda dollarësh që po u boshatis kursimet e pensionit


Një mashtrim i sofistikuar, i njohur si Phantom Hacker Scam, po u merr miliarda dollarë të moshuarve amerikanë, duke boshatisur kursimet e tyre të jetës dhe fondet e pensionit, paralajmëron FBI.

Sipas agjencisë, që prej vitit 2024 kjo skemë mashtrimi u ka shkaktuar viktimave humbje që tejkalojnë 1 miliard dollarë.

Ky mashtrim, që tashmë po përdor inteligjencën artificiale (AI) për të gjetur dhe manipuluar viktimat, përfshin tre faza kryesore: “impostori i mbështetjes teknike”, “impostori i institucionit financiar” dhe “impostori i qeverisë amerikane”.

Në fazën e parë, mashtruesit paraqiten si mbështetje teknike dhe kontaktojnë viktimat përmes mesazheve, telefonatave apo email-eve, duke i bindur ata të shkarkojnë një program që u jep kriminelëve akses në kompjuterin e tyre.

Më pas, ata u kërkojnë viktimave të hapin llogaritë e tyre bankare për të kontrolluar “transaksione të paautorizuara”, duke u përqendruar në llogaritë më të mbushura.

Në këtë pikë, mashtruesit lajmërojnë viktimën se do të kontaktohen nga “departamenti i mashtrimeve” i bankës.

Në fazën e dytë, mashtruesit paraqiten si punonjës të institucionit financiar dhe i thonë viktimës se fondet e tyre janë “kompromentuar nga hakerë të huaj” dhe duhet të transferohen në një llogari të “sigurt”.

Viktimat shpesh dërgojnë para nëpërmjet transfertave bankare, parave të gatshme apo kriptomonedhave, në disa këste përgjatë ditëve apo muajve.

Në fazën e tretë, mashtruesit shtiren si zyrtarë të qeverisë amerikane dhe i bindin viktimat të transferojnë fondet e tyre në një llogari “alias” për mbrojtje.

Eksperti i sigurisë kibernetike Pete Nicoletti, drejtor i Check Point, tha për Fox News Digital se kjo skemë po bëhet gjithnjë e më “devastues” për të moshuarit dhe ka nevojë për ndërgjegjësim familjar.

“Familja duhet të ketë biseda gjatë darkës për këtë,” tha Nicoletti. “Por, e dini, të moshuarit postojnë në Facebook se janë koleksionues Corvette-sh. Kriminelët tani po përdorin inteligjencën artificiale për të identifikuar këto karakteristika dhe profile. Më pas u dërgojnë email ose mesazhe si: ‘ajo Corvette që keni porositur muajin e kaluar është gati, mund ta merrni për 500 dollarë dhe do ta sjellim menjëherë’. Dhe i moshuari mendon: ‘jam koleksionues Corvette-sh, ndoshta kam harruar që e kam porositur’.”

Nicoletti shtoi se paratë e humbura rrallë rikuperohen, edhe kur raportimi bëhet menjëherë:
“Nëse raportohen po atë ditë, ka një shans shumë të vogël, ndoshta 10-15%. Kam dëgjuar raste që dikush i ka marrë mbrapsht paratë. Por nëse vonohet më shumë, shanset janë pothuajse zero. Ato para shuhen.”

FBI u bën thirrje të moshuarve dhe familjeve të tyre të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e kontakteve të panjohura që kërkojnë qasje në llogaritë bankare apo transfertë fondesh.