
Koreja e Veriut ka deklaruar se ka kryer me sukses një test të dy raketave të reja mbrojtëse ajrore, në një stërvitje të mbikëqyrur personalisht nga udhëheqësi i vendit, Kim Jong Un.
Agjencia shtetërore koreane e lajmeve (KCNA) njoftoi se armët kanë një “aftësi superiore luftarake” dhe përdorin një “teknologji unike”, pa dhënë detaje të mëtejshme, raporton BBC.
Sipas saj, testimi i kryer të shtunën “provoi se veçoritë teknologjike të dy llojeve të predhave janë shumë të përshtatshme për shkatërrimin e objektivave të ndryshëm ajrorë”, përfshirë dronët dhe raketat lundruese,.
Ky zhvillim vjen vetëm disa orë pasi Koreja e Jugut konfirmoi se kishte qëlluar me të shtëna paralajmëruese ndaj një grupi prej rreth 30 ushtarësh të Koresë së Veriut, të cilët për pak kohë kishin kaluar Zonën e Demilitarizuar (DMZ) që ndan dy vendet. Pyongyang e cilësoi incidentin si një “provokim të qëllimshëm”.
Ndërkohë, Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë nisur stërvitje të përbashkëta ushtarake në rajon që nga e hëna, një lëvizje që Kim Jong Un e ka dënuar më herët duke e përshkruar si “tepër armiqësore dhe konfrontuese”.
Udhëheqësi koreanoverior ka përsëritur synimin e tij për të rritur arsenalin bërthamor të vendit.
Në janar, Pheniani pretendoi se kishte testuar një raketë të re balistike me rreze të mesme dhe me koka luftarake hipersonike, e cila sipas regjimit “do të përmbajë në mënyrë të besueshme çdo rival në rajonin e Paqësorit”.
Tensionet në gadishullin korean pritet të mbeten të larta, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të takohet të hënën në Uashington me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i cili kishte premtuar përmirësim të marrëdhënieve ndër-koreane gjatë fushatës. Megjithatë, motra e Kim-it ka refuzuar përpjekjet e qeverisë së Lee-së për dialog.
Zyrtarë të Koresë së Jugut kanë ngritur shqetësime për bashkëpunimin e mundshëm ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë, duke theksuar se Moska mund të ketë ofruar teknologji raketore në këmbim të mbështetjes së Pyongyang-ut për agresionin rus në Ukrainë.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse raketat e testuara së fundmi përfshijnë teknologji ruse.
Koreja e Veriut, një nga shtetet më represive në botë, është udhëhequr nga familja Kim për dekada. Dy Koretë mbeten teknikisht ende në gjendje lufte, pasi Lufta e Koresë përfundoi në vitin 1953 pa një traktat paqeje.