Vendosni fjalën kyçe....

Trump nis hetim për tarifat ndaj mobiljeve të importuara në SHBA, premton ringjallje të industrisë vendase


Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar të premten se administrata e tij do të nisë një hetim të ri për tarifat ndaj mobiljeve të importuara në SHBA, duke hapur rrugën për taksa më të larta në këtë sektor, i cili tashmë po përballet me rritje çmimesh të nxitura nga tarifat ekzistuese.

Mobiljet që vijnë nga vende të tjera në Shtetet e Bashkuara do të tarifohen me një nivel që ende nuk është përcaktuar,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Hetimi, i cili do të kryhet sipas nenit 232 të ligjit për sigurinë kombëtare, pritet të përfundojë brenda 50 ditësh, megjithëse hetime të ngjashme në të kaluarën kanë marrë shumë më tepër kohë, përcjell Reuters.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, kjo lëvizje mund të shërbejë edhe si bazë ligjore nëse një gjykatë federale rrëzon tarifat “reciproke” që Trump vendosi në prill ndaj një game të gjerë partnerësh tregtarë, si dhe taksat ndaj Kinës, Kanadasë dhe Meksikës të vendosura në shkurt.

Trump tha se masat e reja do të ringjallin industrinë amerikane të mobiljeve: “Kjo do ta rikthejë biznesin e mobiljeve në Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut, Miçigan dhe në shtete të tjera në mbarë vendin.”

Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, sektori i prodhimit të mobiljeve dhe produkteve prej druri ka pësuar një rënie drastike të fuqisë punëtore – nga 1.2 milion punonjës në vitin 1979, në vetëm 340 mijë sot.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara importuan rreth 25.5 miliardë dollarë mobilje gjatë vitit 2024, një rritje prej 7% krahasuar me vitin 2023, ku rreth 60% e këtyre importeve vijnë nga Vietnami dhe Kina, sipas të dhënave të Furniture Today.

Njoftimi i presidentit pati efekt të menjëhershëm në tregjet financiare: aksionet e zinxhirit amerikan të mobiljeve RH ranë me 7.5% në tregtinë pas orarit zyrtar.

Megjithatë, industria e mobiljeve ka shfaqur rezerva ndaj tarifave të reja. Aleanca Amerikane e Mobiljeve për Shtëpi (AHFA), e cila përfaqëson si prodhuesit vendas ashtu edhe importuesit, në prill kundërshtoi një hetim të ngjashëm mbi produktet e drurit dhe importet përkatëse.

Në komentet e saj me shkrim, grupi theksoi: “Nga pikëpamja ligjore, nuk ka asnjë lidhje racionale mes importeve të produkteve prej druri ose mobiljeve dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Ndërkohë, sipas të dhënave të Departamentit të Tregtisë, tarifat e mëparshme mbi importet nga vendet prodhuese kanë ndikuar në rritjen e çmimeve për mobiljet dhe arredimin e shtëpive me 0.7% vetëm në muajin korrik, megjithëse inflacioni i përgjithshëm është zbutur falë uljes së çmimeve të karburanteve.