Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Gjykatësi Erjon Çela noter i Altin Dumanit, zero prova, fakte penale e dëshmitarë ndaj meje


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka sulmuar nga burgu gjykatësin Erjon çela të cilin e quan noter të SPAK-ut lidhur me procesin gjyqësor ndaj tij.

Ai shkruan se përkundrejt mashtrimit të çelës me diktatin e kreut të SPAK-ut Altin Dumani, ai nuk mund të intimidojë asnjë nga dëshmitarët në procesin ndaj tij duke qenë se ata nuk janë anëtarë të PL-së.

Në fund Meta thekson se ndaj tij nuk ka anjë provë, asnjë fakt penal dhe asnjë dëshmitar.

Mesazhi i Metës

Nuk do ja vlente të merresha publikisht me Erjon Çelën, i cili edhe pse paguhet si gjykatës bën veçse noterin e SPAK-ut për të tretën herë, kundër meje por edhe kundër procesit të rregullt ligjor që duhet të garantojë si gjykatës.

Por nuk mund të hesht përpara një mashtrimi të pacipë të shkruaj prej tij, sipas diktatit të “Afërmendshit” (Altin Dumani), pikërisht alibisë se lirimi im për shkak të funksionit si President i Partisë së Lirisë mund të sjellë intimidimin e gjoja dëshmitarëve, që janë anëtarë të Partisë së Lirisë.

E theksoj se përveç Z. Petrit Vasili, asnjë tjetër nga dëshmitarët e SPAK-ut nuk është anëtar i Partisë së Lirisë sot.

  1. Endrit Braimmllari, edhe falë Dumanit, dihet botërisht se është bërë “rilindas” i thekur dhe ishte në listën e deputetëve të Partisë Socialiste.
  2. Eriol Braimllari, është shkarkuar nga Partia e Lirisë që në Janar 2024 për veprimtari të dyshimtë dhe është pjesë e “Rilindjes”. Madje ishte edhe numërues i votave të saj në zgjedhjet e fundit për Partinë Socialiste.
  3. Elena Gaçe, ish-financerja e LSI për 20 vite që nga themelimi është larguar në mënyrë të çuditshme në pranverë të vitit 2024 dhe pa dorëzuar detyrën e saj me shumë përgjegjësi, për të cilën i është bërë edhe thirrje publike disa herë në atë kohë. Ajo është punësuar sipas asaj vet në biznesin e Endritit (Braimllarit).
  4. Mirela Merko, ish-kryefinanciere e LSI para 10 vitesh. Prej 6 vitesh nuk është pjesë e LSI, por është pjesë e administratës publike.
  5. Luan Rama, ish-Sekretar i Përgjithshëm i LSI, i vetëlarguar që në gusht 2021.

Pra, ky pretendim i akuzës dhe çuditërisht, por jo dhe kaq çuditshëm, i konfirmuar në mënyrë të paturpshme nga noteri që paguhet si gjykatës është një mashtrim publik që kërkon të justifikojë pengmarrjen time për interes të regjimit mafioz të Edi Ramës.

Ne do të ruajmë konfidencialitetin deri në seancën paraprake të gjykimit dhe pastaj do të bëjmë publike të gjitha mashtrimet e “Afërmendshit” dhe të gjitha gjallesave të regjimit, që gjoja janë “prova të gjalla” por që në fakt nuk kanë asgjë kundër Ilir Metës.

Ndërsa gjallesat mashtruese të regjimit do të jenë çdo ditë në gjykimin e opinionit publik për mashtrimet e tyre dhe problemet që kanë me ligjin dhe të vërtetën.

Këto gjoja “prova të gjalla” të “Afërmendshit” do të jenë prova e vërtetë e farsës gjyqësore të shekullit: Zero prova, Zero fakte penale dhe Zero dëshmitarë kundër Ilir Metës.

Partia e Lirisë duhet të përshkallëzojë denoncimin e aferave korruptive ulëritëse të Edi Ramës dhe kryeaferën e tij: Kapjen e Drejtësisë.