
Pesëshja e QUINT-it (SHBA, Francë, Britani, Gjermani, Itali) dhe BE-ja e kanë cilësuar minim të demokracisë moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë.
Në një reagim të premten, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë shprehur shqetësim për “përpjekjet nga akterë politikë për ta kufizuar konkurrencën mes partive politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”.
“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim.
QUINT-i ka thënë se pret që qeveria në largim dhe partitë tjera të përmbahen nga hapat e mëtejmë që pengojnë regjistrimin e partive. Po ashtu u është bërë thirrje partive të prekura nga vendimet që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresave, shkruan Koha.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP.
Lista Serbe nuk u certifikua, ndonëse e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, paraprakisht ka shprehur shqetësim me veprimet që, siç tha, t’u pamundësohet disa partive serbe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.