Vendosni fjalën kyçe....

Trafikant droge i armatosur i shpëton Policisë në kufirin Kosovë-Shqipëri, braktis 21 kg marihuanë


Një trafikant droge i armatosur ka arritur t’i shpëtojë Policisë së Kosovës mbrëmjen e djeshme pranë kufirit Kosovë-Shqipëri, duke braktisur një çantë me 21 kilogramë marihuanë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, gjatë patrullimeve në vijën e gjelbër. Trafikanti, ende i paidentifikuar, në momentin që u pikas nga policia, iu drejtua me armë efektivëve, duke paraqitur rrezik për jetën e tyre.

Pas kësaj, ai hodhi çantën dhe u largua drejt zonës malore në territorin shqiptar. Në çantë u gjetën 21 kilogramë marihuanë, të sekuestruara nga Njësia e Antidrogës.

Njoftimi:

“Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit me datën 20.08.2025, rreth orës 20:30 gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur.

I njëjti në momentin që ka vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të zyrtarëve policorë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj tyre.

Zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.

Lidhur me rastin është kontrolluar çanta ku është vërejtur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas matjes nga Njësia e Antidrogës ka rezultuar rreth 21 kilogramë (marihuanë).

Për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti i cili mbetet të trajtohet nga DHTN – Prizren”, njofton Policia e Kosovës.