
Partia Demokratike ka denoncuar këtë të mërkurë një aferë të re, të cilën e cilëson si të rëndë dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare.
Deputeti i zgjedhur i PD-së, Klevis Balliu, në një deklaratë nga selia blu, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për krijimin e disa kompanive me kapital minimal, të cilat pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e armëve në Shqipëri.
Balliu tha se në maj të vitit 2024, Rama krijoi shoqërinë “KAYO”, duke vendosur në krye ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, dhe i dha me vendim qeverie kompetenca të jashtëzakonshme për të lidhur kontrata në fushën e industrisë së armëve.
Ai theksoi se një nga kompanitë e përfshira është “TIMAC shpk”, e cila sipas tij është promovuar personalisht nga kryeministri.
“Vetëm dy javë pas krijimit të këtyre kompanive, KAYO ndërhyri me forcë dhe në shkelje të hapur të ligjit, duke mos respektuar vendimet gjyqësore, për të uzurpuar ambientet e televizionit News24, pavarësisht se ky i fundit kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2033”, tha Balliu.
Ai ngriti shqetësime për transaksionet e dyshimta financiare që lidhen me kompanitë, duke përmendur rastin e pronës së “TIMAC shpk”.
Sipas tij, më 17 qershor 2025, pronarja e kompanisë, Arjeta Puca, shiti 49% të aksioneve për vetëm 490 euro te Ron Yeffet, të cilin e cilësoi si mik të afërt të Ramës dhe të lidhur me disa afera ndërkombëtare.
“Vetëm pak javë pas këtij transaksioni të dyshimtë, më 4 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me TIMAC shpk kompaninë TIMAC Defence, ku 80% zotërohen nga TIMAC dhe 20% nga KAYO e Ardi Veliut, me kapital fillestar prej vetëm 35 mijë eurosh. Po në të njëjtën kohë, më 1 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi edhe me MSSC kompaninë MKD (Myslym Keta Defence), sërish me kapital minimal prej 35 mijë eurosh, dhe një tjetër kompani, GUNA Tactical, me të njëjtin kapital”, u shpreh Balliu.
Në vijim të deklaratës, ai shtoi se situata është absurde dhe e rrezikshme:
“Të gjitha këto kompani, me kapital qesharak, pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, një projekt jo vetëm i pashembullt në absurditetin e tij, por edhe thellësisht i rrezikshëm për shkak të mungesës së transparencës, kritereve ligjore dhe garancive të sigurisë.”
Sipas tij, lindin disa pyetje të forta për institucionet: “Sipas cilave kritere janë përzgjedhur këto kompani? A kanë ato certifikata sigurie dhe eksperiencë në industrinë e mbrojtjes? Si është e mundur që gjysma e një kompanie të shitet për vetëm 490 euro? Kush mbron interesat kombëtare në një proces kaq delikat?”
Në fund, Partia Demokratike i bëri thirrje organeve të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore që të veprojnë menjëherë.
“Ne kërkojmë një hetim të plotë dhe transparent për këtë aferë. Të verifikohet ligjshmëria, kriteret dhe standardet e sigurisë kombëtare të kompanive të krijuara. Të ndalet çdo veprim që rrezikon pasuritë strategjike dhe pronat ushtarake të vendit. Kjo aferë nuk është thjesht një skandal financiar, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe me integritetin e institucioneve tona. Partia Demokratike do të vijojë ta ndjekë këtë çështje deri në fund, në mbrojtje të interesit publik dhe të sigurisë së vendit”, përfundoi Balliu.